Presidenti i SHBA Joe Biden hodhi poshtë të enjten thirrjet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant, nën dyshime për krime lufte në lidhje me luftën në Gazë.
Në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Biden u pyet nëse SHBA kishte ndonjë provë që Izraeli po përdorte urinë ndaj palestinezëve si mjet lufte kundër militantëve të Hamasit, siç pretendoi gjykata këtë javë.
Zoti Biden nuk u përgjigj drejtpërdrejt, por tha: “Ne nuk e njohim juridiksionin e ICC-së siç po ushtrohet në këtë rast”.
“Ne nuk mendojmë se ka një paralelizëm mes asaj që bëri Izraeli dhe asaj që bëri Hamasi”, vazhdoi ai.
Lufta Izrael-Hamas filloi pas sulmit të 7 tetorit ndaj Izraelit që shkaktoi vdekjen e 1200 persona. Hamasi mori gjithashtu peng 250 pengje.
Si kundërpërgjigje, Izraeli ndërmori një ofensivë në Gazë, ku kanë gjetur vdekjen më shumë se 35,700 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës që kontrollohet nga Hamasi e cila nuk bën dallim mes civilëve dhe luftëtarëve, por thotë se shumica e të vdekurve janë gra dhe fëmijë.
Ndërkohë sipas njoftimeve të mediave, drejtori i CIA-s Bill Burns pritet të shkojë së shpejti në Evropë për t’u takuar me kreun e agjencisë së zbulimit të Izraelit, Mossad si edhe me kryeministrin e Katarit në një përpjekje për të rigjallëruar bisedimet për lirimin e pengjeve që vazhdojnë të mbahen në Gazë dhe për një armëpushim në territor.
Zyrtarët izraelitë thonë se fushata e tyre në Gazë nuk vë në shënjestër civilët, por Hamasin.
Në frontin e betejës, forcat izraelite përfunduan një bastisje dy-ditore të enjten në qytetin e pushtuar Jenin të Bregut Perëndimor, që zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thonë se shkaktoi vdekjen e të paktën 12 personave dhe plagosjen e 25 të tjerëve.
Izraeli e filloi operacionin të martën dhe tha se po luftonte me militantët në atë zonë. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftuan gjithashtu se kanë kryer luftime tokësore dhe sulme ajrore të enjten në Rafah, në Gazën qendrore dhe në zonën Jabaliya të Gazës veriore.
Forcat izraelite vranë të paktën 60 palestinezë në sulmet ajrore dhe tokësore në të gjithë Gazën të enjten, sipas zyrtarëve shëndetësorë dhe mediave të Hamasit, dhe gjithashtu kryen lufime ndaj militantëve të udhëhequr nga Hamasi në Rafah.
Agjencia kryesore e OKB-së në Gaza vlerësoi të hënën se më shumë se 800,000 njerëz janë larguar nga Rafah që nga fillimi i ofensivës së Izraelit në qytet në fillim të muajit. /VOA