Lidhje direkte nga Gjermania për “ABC e Mëngjesit”, rrëfimi i Erilda Çelës nuk është thjesht histori personale, por një përballje e ashpër me realitete që shpesh mbulohen me heshtje.
Ajo erdhi në Gjermani e vogël, një vajzë me temperament dhe jetë përpara. U martua me dashuri, kundër dëshirës së familjes, duke besuar se po ndërtonte një jetë të sajën. Por pas viteve dhe lindjes së tre fëmijëve, ajo që dukej si lumturi, në të vërtetë ishte një fasadë e imponuar.
“Isha e detyruar të dukesha e lumtur”, një fjali që fsheh vite dhimbjeje.
Ajo që e mbajti gjatë në atë martesë ishte frika për të mos lënduar familjen dhe fëmijët. Mentaliteti, gjykimi i të tjerëve, pesha e opinionit, të gjitha e shtynin të heshtte. Derisa erdhi momenti që nuk falet: kur dhuna preku fëmijët.
Aty gjithçka mori fund.
Vendimi për t’u ndarë, me tre fëmijë në krah, nuk ishte thjesht i vështirë, ishte një betejë me botën. Fjalët, paragjykimet, përpjekjet e ish-bashkëshortit për ta kthyer kundër fëmijëve… asgjë nuk mungoi. Por ajo rezistoi.
Dhe kur mendonte se dashuria ishte kapitull i mbyllur, jeta e surprizoi. Një takim i rastësishëm, një këmbëngulje që nuk u dorëzua dhe një njeri që pranoi gjithçka pa kushte. Ajo hezitoi, kishte frikë, por këtë herë nuk ishte më e njëjta grua.
Sot, ajo ka ndërtuar një familje të re, ka një fëmijë tjetër dhe një jetë që dikur i dukej e pamundur. Por beteja nuk mbaroi me kaq.Pas katër lindjeve, trupi i saj mbante peshën jo vetëm fizike, por edhe emocionale të viteve. Në një shoqëri që gjykon pa mëshirë, ajo vendosi të ndryshojë. Me frikë, me dyshime, por me vendosmëri dhe arriti të humbasë 22 kilogramë. Jo për t’u dukur ndryshe. Por për t’u ndjerë e lirë./abcnews.al


