Valbona, prej 5 ditësh në terr: Banorët frikësohen se do ta kalojnë fundvitin pa energji

schedule11:27 - 30 Dhjetor, 2020

schedule 11:27 - 30 Dhjetor, 2020

Sot është dita e pestë që parku kombëtar i Valbonës vijon të jetë pa energji elektrike.

Mësohet se nga stuhitë e forta të dëborës janë rrëzuar shtyllat dhe janë dëmtuar linjat në rrjetin e brendshëm. Pa energji kanë mbetur edhe disa fshatra të thellë në njësinë administrative të Lekbibaj.

Temperaturat në këtë zonë janë mjaft të ulëta ndërsa trashësia e borës bën të pamundur çdo lëvizje.

Njoftohet se punonjësit e OSHEE kanë shkuar në zonë, por siç mësohet nuk kanë mundur të rikthejnë energjinë për shkak të motit të keq dhe terrenit të vështirë.

 Njoftimi i emergjencave civile i Prefekturës Kukës

“Nga informacionet e marra nga përgjegjësi i degës së OSHEE-së Tropojë, rrjeti i furnizimit me energji elektrike të Nj.Ad Margegaj dhe aktualisht rrjeti që furnizon Luginën e Valbonës ka pësuar defekte. 

Këto defekte kanë ardhur si rezultat i erës së fortë dhe sasisë së rënduar të reshjeve të shiut e borës ku në Valbonë shkon deri në 70-80 cm. Aktualisht po punohet nga një grup prej 12 punonjësish të OSHEE-së Tropojë për riparimin e defekteve në këtë rrjet dhe vendosjen e tij në gatishmëri.”

REAGIMI I OSSH

Bora, pengesë në zonat malore

Prej disa ditësh vendi është përfshirë nga një mot i keq, shoqëruar me reshje të dendura shiu dhe dëbore, kryesisht në zonat e malësisë.
Nisur nga parashikimi i motit, OSSH më herët organizoi dhe ngriti grupet e gatishmërisë në të gjithë vendin, duke përforcuar personelin dhe bazë materiale të nevojshme.

Pavarësisht masave, koha e keqe pengon stafet tona të reagojnë më shpejtë për noemalizimin e situatës. Problematika shfaqen kryesisht në zona të thella rurale, ku gjatësia e rrjetit arrin deri 60 km, sidomos në veri të vendit.

Dëbora është bërë pengesë për kalimin e bazës materiale, pasi rrjeti elektrik kalon në terrene të vështira, si në Valbonë, Lekbibaj, Lëpushë, Kelmend, etj.
Sikurse ju kemi përcjellë përmes fotove situatën e vështirë, dëmet janë kryesisht te përcjellësit, izolatorët dhe shtyllat, pra në rrjetin ajror që kalon përmes relieve malore.

Petraq Lika, administrator i OSSH Sh.A, thotë për mediat se, “Nga brigadat e terrenit po punohet me intesitet të lartë për riparimin e defekteve të mbetura. Vështirësi në riparimin e defekteve paraqitet në zonat rurale, ku kryesisht janë linja ajrore, gjë që sjell dhe vonesa në zgjidhjen e problemit për shkak të terrenit të vështirë”. Afro 90% e defekteve janë në zona rurale, ku 70% janë në zona “rurale të thella”

Aktualisht rajonet më të prekura nga defektet janë Shkodra, Kukësi, Vlora, Burreli dhe Bajram Curri.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!