Prefekti kontroll mbi kryebashkiakët/ Forcohet roli i tij, drafti hidhet për konsultim publik

schedule14:11 - 30 Tetor, 2023

schedule 14:11 - 30 Tetor, 2023

Kryebashkiakët do të jenë tashmë nën lupën e perfektit të qarkut.Qeveria ka hedhur për konsultim ndryshimet ligjore, “Për prefektin e qarkut” të cilat synojnë të shtojnë monitorimin te drejtuesit vendor duke i dhënë më shumë kompetenca prefektit të qarkut.

Në projektligj thuhet se prefekti do të ketë të drejtë të propozoj pranë ministrit përgjegjës për çështjet vendore shkarkimin e kryetarit të bashkisë, pjesë e qarkut përkatës në rast të kryerjes së shkeljeve të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve.

Madje prefektët do të kenë detyrë të monitorojnë zbatimin e projekteve apo programeve sektoriale në qark, që zhvillohen me fonde të kushtëzuara apo fonde të qeverisë qendrore, veçanërisht për sa i përket respektimit të afatave dhe cilësisë së tyre.

Në draft parashikohet ndër të tjera se drejtori i policisë vendore do të zhvillojë takime të përbashkëta dhe do të informojë çdo 10 ditë Prefektin e qarkut mbi shkallën e zbatimit të masave për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike në nivel qarku.

Prefekti i qarkut bashkërendon punën me strukturat e mbrojtjes dhe organet e vetëqeverisjes vendore në qark, për realizimin e detyrave në fushën e mbrojtjes civile.

Në ndryshimet ligjore është parashikuar edhe thirrja e ekspertëve të jashtëm në fushat për të cilat nevojitet ekspertiza, si dhe mbikëqyrja e këtij shërbimi nga nënprefekti, përmes fondeve të veçanta në buxhet.

Ndryshimet e kompetencave të Prefektit të Qarkut Referuar synojnë të forcojnë rolin e prefektit të qarkut, për të mundësuar shërbime dhe qeverisje sa më pranë qytetarëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!