Milan dhe Tottenham krijuan një raport pozitiv gjatë merkatos së janarit. Krzysztof Piatek ishte dëshira e anglezëve, por oferta për ta marrë në formë huazimi nuk bindi kuqezinjtë, që e shitën sulmuesin polak te Hertha Berlin për 27 milion euro.
Gjatë këtyre negociatave, Spurs i propozuan dy lojtarë klubit italian: Victor Wanyama dhe Juan Foyth. Pavarësisht se janë futbollistë interesantë, Milani refuzoi blerjen e tyre. I pari aktivizohet në rolin e mesfushorit defensiv dhe sipas italianëve ka një stil loje të ngjashëm me Kessie.
22-vjeçari Foyth tundoi Maldinin dhe Boban për ta vënë përkrah Romagnolit në qendër të mbrojtjes. Gjithsesi vlera e kartonin prej 20 milion eurosh u cilësua e lartë dhe akordi nuk u arrit për argjentinasin.
Dy klubet do të diskutojnë sërish në verë, atëherë kur pritet të largohet Hakan Calhanoglu. Turku dëshiron të vijojë me ngjyrat kuqezi mbi supe, por duhet të bëjë më shumë deri në fund të sezonit. Leicester City dhe Fenerbahce vazhdojnë ta ndjekin me kujdes dhe janë gat të paraqesin ofertat e tyre në fund të sezonit. /abcnews.al