Kryetarja e Bashkisë Durrës la detyrën sot duke e njoftuar largimin me katër radhë në Facebook, dy prej të cilave ishin falenderim dhe një e gjysmë arsyetim.
Sako tha se u largua pasi nuk mund të duronte stresin e shkaktuar nga reagimi publik ndaj dy “faulleve” të saj gjatë daljeve të ditës së shtunë në media.
Në njërën prej tyre ajo tha se “duhej të ishim të kënaqur me 51 viktima”, ndërsa në një intervistë për “Abc News” u shpreh se “qytetarët e prekur nga ndërtimet po dërgoheshin në hotele me pesë yje, në të cilët ata nuk do të mund të qendronin dot me paratë e tyre”.
Kaq u desh dhe rrjeti shpërtheu.
Pjesa tjetër pastaj dihet.
Bashkë me Sakon, njoftoi largimin nga detyre edhe “njeriu” i saj në bashki, Etleva Kondi.
Por, siç mëson ekskluzivisht abcnews.al, largimi i Sakos nuk është thjesht një histori gafash në media.
Dorëheheqja lidhet direkt me atë që e ka drejtuar këtë bashki për 12 vjet, duke firmosur çdo leje ndërtimi gjatë kësaj periudhe dhe siç u filmua edhe nga kamerat e “Abc News“, mundet që të lëvizë i qetë mes gërmadhave të ndërtesave të rrënuara pasi kishin zënë shpirtra nën to.
Që prej nominimit nga Rama si kandidate për Durrësin, raporti mes Valbona Sakos dhe Vangjush Dakos ka qenë armiqësor.
Tragjedia që ndodhi në Durrës kërkon tashmë përgjegjës, të paktën sa i përket ndërtimit dhe siç mëson abcnews.al, Sako kishte kërkuar fillimin e verifikimit të lejeve të ndërtimit për banesat që u rrënuan duke marrë me vete edhe dhjetra të pafajshëm.
Sigurisht, përgjegjësia çonte tek drejtuesit e mëparshëm të bashkisë dhe si kampi i Sakos ashtu edhe ai i Dakos e dinin këtë.
Kaq u desh që ai që doli nga dera nga dera e Bashkisë së Durrësit pasi u shpall edhe “non grata” nga SHBA-të të futej sot nga “penxherja” pasi kishte bërë lëvizjet e duhura me qëllim detyrimin e Sakos të dorëhiqej.
Emri që do të drejtojë nga sot Durrësin, një i besuar i Dakos, e konfirmon më së miri këtë.
Gjatë pasdites së sotme, abcnews.al publikoi fotot e Vagjush Dakos brenda ambienteve të Bashkisë së Durrësit, i cili rikthehej atje, aspak rastësisht, disa muaj pasi e larguan.
Nëse verifkimi i lejeve të ndërtimit për banesat që u rrënuan nuk u bë realitet, tani duket se ka filluar edhe zhdukja e provave për ato ndërtesa që ndodhën në këmbë, por që janë treguesi më i drejtpërdrejt i babëzisë me ndërtimet në Durrës.
Të gjithë panë sot se sa shpejt filloi prishja e ndërtesave të dëmtuara, pa bërë më parë një verifikim për nxjerrjen e përgjegjësive.
Pas që vitesh kryetar, Vangjush Dako bëri vetëm tre muaj pushim, dhe tani duket të jetë rikthyer në krye të Durrësit, qytetit që tani i duhet të shërojë plagët e tragjedisë. /abcnews.al