Pranoi mandatin e deputetes, reagon Ori Nebiaj: Privilegji më i madh i jetës time të përfaqësoj njerëzit që më besuan dhe votuan

schedule18:27 - 15 Nëntor, 2022

schedule 18:27 - 15 Nëntor, 2022

Oriela Nebiaj ka reaguar për herë të parë, pas dorëzimit të formularit të mandatit të deputetes në KQZ.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Ori Nebiaj ka publikuar foton e formularit  të firmosur ku pranon mandatin e deputetes.

Krahas fotos, Ori shkruan se do të jetë “privilegji më i madh i jetës së saj të përfaqësoje njerëzit që i besuan dhe e votuan për të qenë në Parlamentin e Shqipërisë.”

Kujtojmë se Nebiaj firmosi sot formularin e pranimit të mandatit në KQZ.

Lexo edhe: DOKUMENTI/ Pranoi mandatin, Ori Nebiaj plotëson formularin: Zëvendëson Grida Dumën

Tashmë ajo do të marrë vendin e Grida Dumës, e cila nisi mbrëmë emisionin në këtë televizion. Nebiaj kandidoi më 25 prill në qarkun e Tiranës, ku mori 5606 vota preferenciale. Nebiaj ishte e renditur e 18-ta në listën e PD-së, por pas rirenditjes në bazë të votave preferenciale ajo u ngjit një vend më sipër.

Sakaq, Grida Duma njoftoi largimin nga politika më 8 nëntor. Në një konferencë urgjente ajo njoftoi se po linte mandatin e deputetes.

“Pak çaste më parë kam dorëzuar formalisht dhe zyrtarisht shkresën për lënien e mandatit të deputetes. Pas një reflektimi të gjatë, për të bërë të duhur për partinë time dhe votuesit që përfaqësoj, ky është vendimi i duhur. Mendoj se në politikë fatet individuale vlejnë të konsiderohen dhe rimendohen vetëm kur shkojnë në një kahje me fatet e njerëzve që përfaqësojmë. Kurrë e kundërta, megjithëse është bërë. Fati i njerëzve që përfaqësoj është misioni që zgjodha. Më e thjeshta do të ishte që të kisha qëndruar. Ka nga ata që po presin skutave të përgjojnë për shansin e tyre të humbur t’i ndrijnë parave. Mund të qëndroja thjesht për të mbijetuar, mund të bëja sikur nuk e shoh luftën e jashtme, por shumë vite në politikën e vijës së parë, nuk i jam larguar përgjegjësisë dhe as betejës, madje kam qenë e para, “, tha Duma.

Grida Duma e mori mandatin vitin e kaluar në zgjedhjet e 25 prillit. Duma ka qenë një nga zërat më aktivë të opozitës në Kuvend por edhe në publik.
/Abcnews.al/