Pranohet kërkesa për gjykim të shkurtuar ndaj Klement Balilit

schedule11:40 - 25 Shkurt, 2019

schedule 11:40 - 25 Shkurt, 2019

Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e Klement Balilit për gjykim të shkurtuar. Vendimi u mor gjatë seancës së parë në ngarkim të të ashtuquajturit “Eskobari i Ballkanit”. Ndërkohë gjykata pranoi dhe kërkesën e prokurorisë, e cila tha se i duheshin dy javë kohë, deri më 12 Mars, për të paraqitur konkluzionet përfundimtare për Klement Balilin.

Kërkesa e Klement Balilit për gjykim të shkurtuar, i ashtuquajturi nga media greke si “Eskobar i Balkanit”, u pranua të hënën nga Gjykata për Krime të Rënda. Automatikisht Balili përfiton ulje me 1/3 e dënimit që do të jepen ndaj tij, i akuzuar për katër vepra penale si; “trafik të narkotikëve”, “krijim i grupit të strukturuar kriminal”, “mosdeklarim i pasurisë” dhe “pastrim parash”. Ndërkohë Prokuroria e Krimeve të Rënda e përfaqësuar nga Ened Nakuçi pritet të japë pretencën në seancën e datës 12 Mars.

Klement Balili u dorëzua tek autoritetet policore shqiptare, më datë 15 Janar të këtij viti. Ai ishte në kërkim ndërkombëtar prej 2 vitesh e gjysmë, ku më herët ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë së “arrest në burg”. Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte filluar hetimet për Balilin më 4 Mars të 2016-s, ku pjesa më e madhe përgjimeve u dërguan me letërporositë e ardhura nga Greqia. Organi i akuzës po administron një sërë provash të grupit kriminal në të cilin bën pjesë edhe Klement Balili. “Eskobari i Ballkanit”, kishte rolin kyç në trafikun e narkotikëve, theksoi prokuroria, i cili ka qenë një nga financuesit kryesore të gurpit kriminal shqiptar.

Nga përgjimet telefonike, hetuesit kanë arritur në përfundimin se një person, që sipas tyre është Klement Balili, komunikonte me dy skafistët, duke iu treguar se në ishullin Zakinthos i priste Jorgos Alifantis.

Autoritet greke sekuestruan një sasi prej 700 kilogramësh kanabis sativa të nisur nga Saranda, teksa nga përgjimet doli se Balili ishte poseduesi drogës. Sipas përgjimeve, dyshohet se Klement Balili mbante kontakte me dy skafistë dhe pritësin e sasisë së lëndës narkotike në vendin fqinj dhë për këtë janë administruar si prova edhe bisedat telefonike, pamjet filmike dhe takimit ndërmjet anëtarëve të grupit, shqiptarë me ato grekë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!