Pranohet gjykimi i shkurtuar për Enkeleda Hoxhën, ish-gjyqtarja e Krujës do përfitojë ulje dënimi

schedule16:51 - 11 Tetor, 2021

schedule 16:51 - 11 Tetor, 2021

Është pranuar Gjykimi i Shkurtuar për ish-gjyqtaren e Krujës, Enkeleda Hoxha dhe për personat e tjerë të arrestuar për korrupsion dhe vendime të padrejta në gjykim. Seanca e radhës raportohet se do mbahet me 25 tetor.

Me pranimin e Gjykimit të Shkurtuar, do të thotë që gjykata do marrë vendimin me vetëm provat e siguruar deri më tani dhe nuk do të thellohet më tej. Kështu Enkeleda Hoxha përfiton uljen e 1/3 së dënimit përfundimtar.

Enkeleda Hoxha u arrestua me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme pasi dyshohet se me 9 persona të tjerë kishin ngritur një skemë përmes të cilës ulnin dënimet ose lironin nga burgu të dënuar për vepra të rënda penale. Mes të arrestuarve janë, avokati Aldo Tabaku si edhe sekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi.

Kujtojmë se Gjykata e Posaçme e Apelit ka refuzuar disa herë radhazi kërkesën e gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha për lirim nga qelia. Ajo prej disa muajsh qëndron në paraburgim prej 5 muajsh, si e dyshuar për “korrupsion” në Gjykatën e Krujës.

Gjyqtarja ishte lakuar prej vitesh në media për lirimet e të dënuarve për jetë. Me urdhër të SPAK, Enkelejda Hoxha u arrestua bashkë me 9 persona të tjerë më 11 shkurt me akuzën e korrupsionit.

Ata u akuzuan se kishin ngritur një skemë përmes të cilës ulnin dënimet ose lironin nga burgu të dënuar për vepra të rënda penale kundrejt parave.

Si nisi procedura?

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë kërkoi shkarkimin nga detyra të gjyqtares Enkelejda Hoxha. Hetimi i ILD ndaj Hoxhës, nisi si rezultat i ankesës së bërë nga Ministria e Drejtësisë për lirimin e shumë personave të dënuar me burg përjetë, mes tyre dhe Endrit Doklen, ish-numri dy i bandës së Durrësit.

Sipas ILD-së kanë qenë disa vendime të marra nga Hoxha në harkun kohor nga maj 2017- shkurt 2019 të cilët sipas hetimeve kanë rezultuar me shkelje. Në qershor të vitit të kaluar, emri i Hoxhës doli sërish në skenë pas vrasjes së Hekuran Billës në zonën e Komunës së Parisit.

Ai ishte dënuar me 25 vite burg për një vrasje të ndodhur në Angli por 10 vite para përfundimit të dënimit, Hoxha i fali 5 vite Billës, ndërkohë që 5 vitet e fundit i konvertoi në shërbim prove, duke e nxjerrë atë menjëherë nga qelia. /abcnews.al/