PRAGË- Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe integrimi në Bashkimin Evropian ishte një nga çështjet që kryeministri Edi Rama diskutoi në një prej paneleve të forumit GLOBSEC, që po zhvillohet në Pragë.
Kritik ndaj Bashkimit Europian përsa i përket procesit të zgjerimit Rama tha se do të duhej lufta e Rusisë në Ukrainë që Bashkimi Evropian të kuptonte rëndësinë e rajonit.
“Pikë së pari duhet të përgëzoj Vladimir Putinin, sepse falë tij Bashkimi Europian e kuptoi se sa e rëndësishme ishte që ta mbante shumë më pranë Ballkanin Perëndimor dhe sa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor për Bashkimin Europian. Kështu që është diçka fatkeqe që na duhej Vladimiri për ta bërë të qartë këtë gjë, në mënyrën më të vështirë e më kriminale. Por, kjo është e dobishme”, tha Rama.
Kryeministri Rama ka përjashtuar çdo lloj influence të Moskës në Shqipëri.
Pyetjes së moderatorit Steve Clemons nëse Putin bën përpjekje për të minuar demokracinë shqiptare Rama iu përgjigj se tek ne nuk gjen spiunë dhe se shqiptarët janë besnikë të perëndimit.
“Merrni parasysh këtë që, që nga ‘90 deri më sot s’ka pasur një vizitë në Moskë të nivelit të lartë dhe as vizitë nga Moska dhe askënd se ka marrë malli për këtë. Ne nuk duam asnjë gjë të keqe për Rusinë. Rusia është një vend i madh, është një kulturë fantastike. Por sa i përket Rusisë nuk jemi të interesuar, nuk ka oreks aty. Rusia nuk mund të gjejë shumë as spiunë apo njerëz, të cilët janë të gatshëm t’i shërbejnë Rusisë për pak para. Kështu që, Rusia, përzierja e saj në politikën tonë, kemi pasur disa gjëra, por asgjë të madhe”, tha ai.
Por kreu i qeverisë shqiptare shprehu shqetësimin për influencën ruse në vende të tjera të rajonit dhe duke iu referuar Serbisë tha se BE duhet ta mbajë në anën e saj.
“Aty ku Rusia është e pranishme dhe është shumë influente dhe që mund të jetë vërtete një problem është në pjesë të tjera të Ballkanit dhe kjo është arsyeja pse kemi nevojë që Serbia dhe Kosova të dalin nga konflikti, ndaj na duhet që ta mbajmë Serbinë në anën tonë sa më shumë të jetë e mundur dhe kjo është arsyeja, siç e përmendët ju në një nga pyetjet tuaja, që është e rëndësishme që sa më shumë ta lidhim integrimin europian me integrimin në NATO dhe sa më shumë NATO të jetë e pranishme në sa më shumë vende në Ballkanin Perëndimor, do të ishte shumë më mirë”, u shpreh Rama.
Rama tha se Ballkani perëndimor është sot në një pozitë shumë më të mirë se më parë dhe se Shqipëria ka pasur një rol të rëndësishëm në këtë drejtim duke promovuar paqen dhe dialogun në rajon.
/abcnews.al/