Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi po merr pjesë në takimin dyditor të ministrave të Mbrojtjes të vendeve të Aleancës, i cili po zhvillohet në selinë e NATO-s në Bruksel në datat 16-17 shkurt 2022.
Ndonëse kriza aktuale e shkaktuar nga dislokimi i forcave të mëdha ushtarake ruse në kufijtë e Ukrainës ka tërhequr vëmendjen e audiencës në mbarë botën dhe përbën një moment mjaft kulmor që pas Luftës së Ftohtë, në axhendën e këtij takimi do të diskutohen edhe çështje të tjera mjaft të rëndësishme si: Koncepti i ri Strategjik; Forcimi i deterrencës dhe mbrojtjes së Aleancës; Shpenzimet e Mbrojtjes; Ndarja e drejtë e barrës ndërmjet Aleatëve; Partneriteti NATO – BE; etj,.
Ministri i Mbrojtjes z. Peleshi, në fjalën e tij theksoi qëndrimin e unifikuar të Shqipërisë me vendet e tjera Aleate se çdo vend është i lirë dhe ka të drejtën sovrane për të zgjedhur rrugën e vetë në aleancat e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe orientimin e politikës së jashtme. Gjithashtu, ai përmendi rolin e Shqipërisë si bashkë-penë-mbajtëse me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi çështjen e Ukrainës.
Më tej, ministri Peleshi theksoi rëndësinë e ruajtjes së solidaritetit dhe kohezionit që Aleanca duhet të tregojë gjithmonë, por veçanërisht në këtë moment. Ai nuk la pa përmendur dhe vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të Komandave Strategjike dhe strukturave të tjera të NATO-s, në mobilizimin dhe gatishmërinë e përhershme në ruajtje të kufijve të vendeve të Aleancës.
Për këtë, ministri Peleshi solli në vëmendje kontributet aktuale të vendit tonë në kuadër të Aleancës, si dhe vendimet më të fundit për mundësinë e shtimit të kontributit në kufijtë juglindorë të Aleancës, sipas modelit të Prezencës së Përforcuar të Përparuar në vendet Balltike (eFP). Për sa i përket zhvillimit dhe implementimit të kapaciteteve të Mbrojtjes, z. Peleshi rikonfirmoi edhe njëherë angazhimin e Shqipërisë për përmbushjen e Zotimit për Investime në Mbrojtje që vendet anëtare morën në Samititn e Uellsit në 2014 për arritjen e buxhetit të Mbrojtjes deri në vitin 2024 në jo më pak se 2% të PBB.
Ministri i Mbrojtjes z. Niko Peleshi i kushtoi vëmendje të veçantë edhe hartimit të Konceptit të ri Strategjik të NATO-s, duke vlerësuar kohën që ai vjen si mjaft të duhur dhe të rëndësishme, për faktin që situata e sigurisë dhe rreziqet në mbarë globin po zhvillohen në mënyrë mjaft të paparashikueshme dhe kaotike.
Në këtrë kuadër, Peleshi kërkoi që rajonit të Ballkanit t’i kushtohet vëmendja e duhur në hartimin e Konceptit të ri Strategjik të NATO-s./abcnews.al/