TIRANË- E ardhmja nuk është aq blu, pasi Sali Berisha nuk mbështetet as nga grupimi i partive popullore evropiane.
Pas takimit me një mision të partive popullore evropiane në zyrën e tij, kreu i PD-së nuk foli më as për të ashtuquajturën “farsë zgjedhore”, e as për zjarr e dhunë në protesta.
Berisha nuk tregoi se çfarë u diskutua me të djathtët evropianë, por la të kuptohej se ata e kishin zbutur në qëndrimet e tij, sidomos sa i përket protestave të dhunshme.
I ftuar në emisionin “Real Story”, analisti Plator Nesturi u shpreh se ndryshimi i qëndrimeve të Berishës është më tepër i pjesshëm sesa thelbësor.
Sipas analistit, Partia Demokratike mbetet forca më e madhe opozitare në vend, por përballet me kriza të thella të brendshme, pavarësisht heshtjes së figurave brenda saj.
Ai theksoi se të gjithë partitë politike kanë nevojë për rinovim dhe përshtatje me një realitet në ndryshim të vazhdueshëm.
Nesturi ndaloi edhe te mazhoranca socialiste, duke theksuar se edhe PS-ja duhet të rregullojë mekanizmat e saj të brendshëm, sidomos në mënyrën e komunikimit publik.
Ai kritikoi mungesën e ministrave në mbrojtje të programit qeverisës, duke e cilësuar këtë si një dobësi të dukshme në përfaqësim dhe artikulim publik.
“Mund t’i kenë rënë pak qimet, por nuk është se ka ndryshuar lëkurën. Ky është problem dhe nuk është se mund të kemi ndryshim të Berishës nga fakti që vjen një delegacion kaq i madh, që nëse përpara merreshin me me fakt mbledhjen, tani këta kanë ardhur për të mbledhur molotovët, dmth është molotovmbledhës.
Në kushtet aktuale PD mbetet forca më ë madhe opozitare, por brenda saj ndodhen kriza të mëdha, pavarësisht heshtjes së madhe të faktorëve që janë aty brenda. Berisha vjetrohet jo vetëm në moshë, por vjetrohet më shumë edhe në ide.
Gjithë politika shqiptare ka nevojë për të vendosur piketa të reja të vetvetes, jo vetëm PD, por të gjithë partitë politike duhet të mendojnë të përballen me një realitet, i cili është në evoluim të vazhdueshëm.
Nëse nuk evoluon së brendshmi, nuk mund të kesh një jetëgjatësi apo sukses, i cili deri tani të ka mbajtur. Në PD ka ngërçe shumë të mëdha, unë prapë po e kthej te PS, i duhet padyshim të rregullojë shumë mekanizma të brendshëm të saj sa i përket mënyrës se si prezantohet, si artikulon, qoftë mënyra e imazheve që janë fytyra e saj dhe që shpeshherë dhe nëse ne po flasim për çështje të defekteve në qeverisje, sepse kemi ministra, që nuk kanë dalë të mbrojnë programin e qeverisë së tyre. Ne nuk i kemi parë në studio. Nuk dinë të flasin, ky është problem shumë i madh.”, tha ai./abcnews.al


