Parlamenti portugez autorizoi presidentin Marcelo Rebelo de Sousa që të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, e cila do të hyjë në fuqi të hënën, për të lejuar qeverinë të vendosë kufizime të reja që synojnë parandalimin e pandemisë së COVID-19.
Pas votimit të deputetëve, të cilët miratuan projekt-dekretin presidencial me një shumicë të madhe, Rebelo de Sousa do t’i drejtohet vendit gjatë një fjalimi televiziv.
Të shtunën, qeveria do të organizojë një mbledhje të ministrave për të vendosur mbi masat që do të merren në kuadër të gjendjes të jashtëzakonshme, e cila mund të përfshijë një shtetrrethim gjatë natës, që tashmë ekziston në disa vende europiane.
Portugalia ka regjistruar 166,900 raste dhe 2,792 viktima . Të premten vendi shënoi 5,550 raste, shifra më e lartë ditore që nga fillimi i pandemisë. Testimi është rritur gjithashtu.
Një total prej 2,425 njerëz janë shtruar në spital, 340 në njësitë e kujdesit intensiv (ICU).
Sistemi i kujdesit shëndetësor, i cili para pandemisë kishte numrin më të ulët të shtretërve të kujdesit kritik për 100,000 banorë në Europë, tani është rritur në 800./abcnews.al

