Portugali-Spanjë, sfida më e fortë në grupe

schedule15:49 - 15 Qershor, 2018

schedule 15:49 - 15 Qershor, 2018

Portugalia dhe Spanja luajnë sot ndeshjen më të fortë të fazës së grupeve në Botëror. Skuadra spanjolle jepet favorite, por është e tronditur pas skandalit me trajnerin.

Le të shlodhemi derisa të vijë ndeshja. Portugalia, jo më kot kampione e Europës, zgjodhi një shëtitje në Soçi për të qenë maksimalisht e qetë në prag të derbit me Spanjën. Nën udhëheqjen e Cristiano Ronaldos e të trajnerit Santos, luzitanët u përpoqën të mendonin gjëra të gëzueshme. Natyrisht, nuk mund të mungonte seanca stërvitore, por për fat, skuadra nuk ka asnjë të dëmtuar dhe asnjë të pezulluar. Trajneri Santos analizon kështu.

Fernando Santos: “Padyshim që është një klasike e futbollit europian dhe botëror. Janë dy skuadra që duan të luajnë bukur futboll dhe të fitojnë Kupën e Botës. Spanja është një skuadër fantastike, me lojtarë të cilësisë maksimale dhe me shumë përvojë. E kemi përgatitur ndeshjen në çdo aspekt, jemi gati dhe kemi besim, ndaj shpresoj t’ia dalim me sukses. Nuk duhet të kemi iluzione mbi problemet e Spanjës pas ndryshimit të trajnerit”.

Për Spanjën ishte i detyrueshëm kjo dalje. Më shumë se kurrë, kapiteni Ramos duhej të buzëqeshte me optimizëm e të mbështestee trajnerin e ri, Hierro. Tronditja që pas skandalit të Lopeteguit duhej lënë pas. Jo më kot, ishte Ramos që foli i pari duke theksuar se “kjo situatë aspak e mirë duhet të kalohet sa më shpejt, Spanja është mbi të gjithë, dhe duhet të mendojmë për Portugalinë”. Më pas, i erdhi radha Hierros.

Fernando Hierro: “Kemi shumë respekt për ekipin kampion të Europës. E dimë se ka disa nga lojtarët më të mirë të botës dhe një trajner me shumë përvojë. Për të fituar duhet të jemi në maksimum, dhe mendoj se jemi të përgatitur përsoshmërisht. Nuk ka kohë për të ndryshuar asgjë, do të mbështetemi tek puna që ka bërë Lopetegui. Kemi përpara vetes tri finale, duke nisur nga ndeshja me Portugalinë”.

Dy ekipet janë ndeshur vetëm një herë në Botëror dhe ka fituar Spanja 1-0. Duelet e tyre në turne të mëdhenj kanë pasur shumë pak gola./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!