TIRANË– Porti i ri në Porto Romano do të ndërtohet pavarësisht se kompania e vetme është tërhequr nga gara. Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi u shpreh se arsyeja e daljes së kompanisë nga gara ishin kostot e larta të ndërtimit.
Por diçka e tillë u paralajmërua tre ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, i cili përpara grupit, pati një deklaratë të fortë kur tha se nuk kanë munguar tentativat për të penguar projektin.
Analisti Ergys Mërtiri, i ftuar në “Real Story” u shpreh kritik ndaj kryeministrit Edi Rama, i cili siç tha ai nuk duhet të flasë me kode, por grupin që pretendon se po punon kundër projektit të Porto Romanos ta dërgojë në Prokurori.
“Nuk më pëlqen reagimi i Ramës, i cili i flet publikut me një gjuhë të koduar për një publik tjetër, dmth, mënyra se si po flet jep mesazhe të koduara. Pra, ne i dimë kush janë ata thotë Rama. Kujt po ia thua këtë, po ua thua atyre? Kush janë. Minimalisht shko denoncoji dhe dërgoji në prokurori.
Nëse ka grupe të tilla të interesuar për të sabotuar zhvillimin e Shqipërisë, këto duhen parë me vëmendje. Këta po dialogojnë me një gjuhë kinezë, që ne nuk e kuptojmë dot, Ky është problemi.”, tha ai./abcnews.al


