Ukraina mban këtë të dielë zgjedhjet presidenciale, ku oligarku pro-perëndimor Petro Poroshenko po kërkon rizgjedhjen përballë një komediani dhe ish-lideres së Revolucionit Portokalli, Julia Timoshenko.
Në Ukrainë po votohet këtë të dielë për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, ku lideri aktual Petro Poroshenko kërkon rizgjedhjen përballë komedianit Volodimir Zelenskij. Të dy kandidatët, bashkë me ish-kryeministren Julia Timoshenko, kanë shprehur pikëpamje pro-europiane gjatë fushatës së tyre. Në tërësi, në fletën e votimit janë 39 kandidatë, por vetëm tre të sipërpërmendurit shihen si konkurrentë seriozë. Poroshenko është një nga oligarkët më të pasur të Ukrainës, që u zgjodh pas rrëzimit nga pushteti të presidentit pro-rus Viktor Janukoviç në vitin 2014.
Zelenskij, 41 vjeç, po përpiqet të kthejë në realitet shfaqjen e tij satirike televizive, ku portretizon një qytetar të zakonshëm që bëhet president pasi lufton korrupsionin. Ai nuk ka bërë mitingje, ka dhënë vetëm pak intervista dhe nuk ka një këndvështrim të fortë politik, përveç dëshirës për të qenë një lider ndryshe.
E treta është Julia Timoshenko. 58-vjeçarja ka shërbyer si kryeministre dhe njihet për rolin kyç në Revolucionin Portokalli të vitit 2004, që ishte dhe përpjekja e parë për të afruar Ukrainën me BE-në. Sidoqoftë, kushdo që do të fitojë nuk do ta ketë të lehtë. Presidenti i ardhshëm do të trashgojë konfliktin me separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës, si dhe përpjekjet e vazhdueshme të vendit për të përmbushur kriteret e BE-së për lidhje ekonomike më të forta. Ndryshe nga vende të tjera, roli i presidentit në Ukrainë ka pushtet sa i takon fushave të sigurisë, mbrojtjes dhe politikës së jashtme dhe sistemi i Ish-Republikës Sovietike konsiderohet si gjysmë-presidencial. /abcnews.al