Polonia dhe Kolumbia, fitore për të shmangur eleminimin

schedule17:05 - 24 Qershor, 2018

schedule 17:05 - 24 Qershor, 2018

Polonia dhe Kolumbia pritet të luajnë vetëm për fitore në ndeshjen mes tyre në grupin H. Të dyja skuadrat i humbën takimet e para dhe nuk mund të bëjnë më asnjë gabim.

I gjithë Kazani është me Kolumbinë. Kështu besojnë mediat kolumbiane që janë në qytetin rus, në prag të ndeshjes ndaj Polonisë.

Vërtet, shumë banorë vendas premtojnë mbrështetje dhe u bien veglave muzikore për Kolumbinë, ndërsa tifozët amerikanojugorë shpresojnë që skuadra e tyre kombëtare të jetë me më shumë fat sesa në takimin ndaj Japonisë.

Trajneri argjentinas, Jose Pekerman, është vënë nën kritika të forta kohët e fundit dhe humbja me japonezët nuk do ta ndihmojë, por ai mbetet me besim.

Pekerman bën analizën e tij.

“Nuk do të jetë e lehtë, por e dimë se i kemi mundësitë për t’ia dalë. Ndaj Polonisë do të jetë një ndeshje e fortë që do të vendoset nga detajet, dhe shpresoj të mos pësojmë gol të parët. Shpresoj që James Rodriguez të jetë në 100 për qind të formës, pasi është lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Polonia është një kundërshtar i fortë, që ne e respektojmë, pavarësisht humbjes së ndeshjes së parë”.

Polonia gjithashtu vjen në këtë ndeshje pas një humbjeje, asaj me Senegalin. Skuadra nuk duket se ka probleme me dëmtimet dhe trajneri Navalka bën një premtim.

 “Ne presim një ndeshje shumë të vështirë, me shumë intensitet, por më lejoni t’iu them se ne besojmë fuqimisht se do të jemi fitues. Ne jemi shumë të zemëruar pas humbjes me Senegalin, ndaj duam që të luajmë në një tjetër nivel. Në skuadrën tonë ka ndodhur një ndryshim dhe shihet një energji më e madhe. Jemi të përgatitur siç duhet për të fituar”.

Duke mos pasur asnjë pikë pas ndeshjeve të para, të dyja skuadrat do të luajnë për fitore që të mos pakësojnë ndjeshëm shanset për kualifikim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!