Ministri i Jashtëm polak Zbigniew Rau akuzoi Gjermaninë se po përpiqet të ndërhyjë në punët e brendshme të Polonisë.
Rau ka reaguar në rrjetet sociale ndaj deklaratave të kancelarit gjerman Olaf Scholz se administrata në Varshavë duhet të sqarojë akuzat për lëshimin e parregullt të vizave në konsullatat polake në Afrikë dhe Azi.
Duke kritikuar Gjermaninë në postimin e tij, Rau tha se deklarata e Scholz shkelte “parimin e barazisë sovrane të shteteve”.
“Është e qartë se kompetencat e kancelarit gjerman nuk kanë të bëjnë me procedurat që po zhvillohen në Poloni. Deklaratat në këtë kontekst tregojnë për një përpjekje për të ndërhyrë në punët e brendshme të Polonisë dhe në fushatën zgjedhore në vazhdim”, tha Rau.
Më 15 shtator në Poloni dolën në shesh akuzat për parregullsi në dhënien e vizave hyrës, ndërsa u shkarkua edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme Piotr Wawrzyk.
Ministria e Punëve të Jashtme të Polonisë njoftoi se do të kryhen inspektime të veçanta në të gjitha konsullatat e vendit.