Politiko: Popullariteti i Kamala Harris po pengon marrëveshjen SHBA-BE në lidhje me huanë për Ukrainën

schedule13:10 - 5 Shtator, 2024

schedule 13:10 - 5 Shtator, 2024

Rritja e popullaritetit të kandidates së Partisë Demokratike për presidente amerikane Kamala Harris ka sjellë komplikime të papritura diplomatike në përpjekjet e Europës dhe Uashingtonit për t’i dhënë Ukrainës një hua prej 50 miliardë dollarësh.

Sipas raporteve, përpara se presidenti aktual i SHBA-së Joe Biden të hiqte dorë nga kandidatura e tij për Shtëpinë e Bardhë, perspektiva që kandidati i Partisë Republikane Donald Trump të bëhej president i SHBA-së i shtyu diplomatët në të dy anët e Atlantikut të kapërcenin mosmarrëveshjet e tyre në mënyrë që të finalizonin një marrëveshje nga në fund të vitit në lidhje me huanë.

Besimi në fitoren zgjedhore të Kamala Harris, një kandidate që mbështet ndihmën për Ukrainën, ka thelluar sërish dallimet midis Europës dhe Shteteve të Bashkuara mbi përdorimin e fitimeve nga fondet e ngrira ruse, thanë dy zyrtarë të paidentifikuar të Bashkimit Europian.

Që kur Harris zëvendësoi Biden si kandidat i Partisë Demokratike për zgjedhjet e 5 nëntorit, epërsia e Trump në sondazhet e opinionit duket sikur nuk ekziston më.

Nga shtatë shtete të identifikuara nga fushatat e Harris dhe Trump si fushëbetejë kyçe të kolegjit zgjedhor, Harris kryeson ndaj Trump në tre, megjithëse vetëm ngushtë.

Huaja e Ukrainës u vendos në një takim të qeverive të G7 në qershor, por BE dhe SHBA vazhdojnë të mos jenë dakord për detajet.

Me shumicën dërrmuese të aseteve të ngrira që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt 2022 nga presidenti rus, Vladmir Putin, Uashingtoni po kërkon garancinë e BE-së se ato të mos preken derisa Moska t’i paguajë Ukrainës dëmshpërblimet e pasluftës.

Por kjo është një kërkesë e vështirë për BE-në për t’u përmbushur sepse do të kërkonte unanimitet dhe disa vende europiane janë kundër.

Javën e ardhshme Komisioni pritet të paraqesë një propozim zyrtar se si të strukturohet kredia.

Nuk është ende e qartë nëse BE do të specifikojë kontributin e saj, rreth 20 miliardë dollarë në një përpjekje për t’i bërë presion SHBA-së që të paguajë pjesën e saj, thanë dy zyrtarë të tjerë.

BE-ja teorikisht mund t’i japë Ukrainës huanë pa pritur aleatët e saj G7, por disa vende anëtare besojnë se ky opsion mund të dëmtojë unitetin perëndimor; Banka Qendrore Europiane, nga ana e saj, ka frikë se mbart rreziqe të tepërta financiare.

Huaja e G7 do t’i jepte lehtësim të konsiderueshëm ekonomisë së Ukrainës të goditur nga lufta. Vendi së fundmi finalizoi një plan me kreditorët e tij privatë për të shtyrë kthimin e borxhit, por përballet me perspektivën e një boshllëku buxhetor nga fillimi i vitit 2025.

Të mërkurën, zyrtarët e FMN-së vizituan Kievin teksa po ndërmarrin një rishikim të një programi të veçantë kredie prej 15.6 miliardë dollarësh.

/abcnews.al