Politikania serbe nga Kosova që garon në zgjedhjet e Tetorit

schedule11:48 - 23 Shtator, 2019

schedule 11:48 - 23 Shtator, 2019

Rada Trajkoviç është mjeke nga Kosova. Në politikë është futur pas luftës. Së fundmi është zënë keq me presidentin, Aleksandër Vuçiç, i cili nuk i ka ngelur borxh me akuza. Trajkoviç, në Serbi endet me mbrojtje policore.

Ka akuzuar pushtetin për strehimin e Millan Radojçiç, të dyshuar për lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviç. Akuzat e Trajkoviç bëjnë rresht të gjatë dhe plotë vrer flet: por mafia kontrollon gjithçka, beson ajo, kurse për serbët e Kosovës është bërë dëm i madh.

“Nëse Vuçiç mendon se Radojçiç është një personalitet i moralshëm, le ta mbështesë të dorëzohet në mënyrë që pafajësinë e tij ta vërtetojë në gjykatë dhe ta shpallin të pafajshëm”.

Trajkoviç thotë se në zgjedhjet e Kosovës me grupin e saj do të luftojë për të krijuar një hapësirë politike. Por, ndarja e serbëve nuk krijon mundësi të lehta. Njerëzit kanë frikë të shprehen lirshëm dhe ky është motivi i saj për të qëndruar në politikë. Thotë se politika nuk e ka të vështirë të krijojë incidente, por për veten nuk ka frikë.

“Ne në vazhdimësi përjetojmë indicente të inskenuara, të cilat sjellin me vete një vazhdimësi të antagonizmit mes serbëve dhe shqiptarëve dhe në asnjë mënyrë nuk po arrijmë tek pajtimi. Do të doja që ura mbi Ibër apo lumi të jetë thjesht një lumë dhe jo vend ku dëgjojmë rrahje mes të rinjve dhe incidente. Duhet të arrijmë deri tek diçka që quhet normalizim. Me ura të ndaluara nuk ka pajtim dhe kjo është e tmerrshme dhe na harxhon jetët e të rinjve, të cilët për shkak të korrupsionit dhe krimit po largohen nga vendi. Kush do të pajtohet në fund”?

Ajo ka qenë kundër ndarjes apo përkufizimit të Kosovës. Thotë se duhet të krijohet një atmosferë pozitive për të zgjidhur një problem madhor siç është Kosova.

“Në momentin kur situata të qetësohet dhe kur njerëzit të shkojnë në një institucion duke marrë shërbimin që kërkojnë, pa pasur rëndësi se ku ndodhen, kjo do të thotë se janë pjekur kushtet për zgjidhje të një problemi serioz siç është statusi. Nëse do ta zgjidhnim së pari marrëdhënien mes Kosovës dhe Serbisë, Vuçiç dhe të tjerët do të sillnin çështjen e Bosnjës. Kjo do të hapte sërish çështjen e Sanxhakut dhe ne sërish do të vinim tek një antagonizëm dhe konflikte të reja. Mendoj se Bosnja duhet të zgjidhet e para pasi atje duket sikur po bëhen skenarë të çuditshëm”.

Serbët, thotë Trajkoviç, kanë kontroll partiak dhe nga një pjesë e mafies emërohen njerëzit në vende të punës. Ata shfrytëzojnë tre nivele pushteti, lkal, qendror të Kosovës dhe një pjesë të institucioneve serbe. Trajkoviç luftën me Vuçiç duket se e ka gati të drejtpërdrejtë.

“Unë mundohem që të marr të paktën nivelin qendror në Prishtinë, në mënyrë që serbët në Kosovë të rifillojnë të marrin frymë”.

Trajkoviç ka qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës me një lëvizje serbe që quhej “Povratak” ose “Kthimi”. Por, simbolika e këtij emri tani më vështirë arrihet pasi Lista Serbe ka patur mbështetje absolute dhe vetëm një grup politikanësh janë ndarë në vete./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!