Festën e Kurban Bajramit, besimtarëve mysliman ua uroi edhe politika shqiptare. Pas vizitës në selinë e komunitetit Mysliman Shqiptar kreu i shtetit Ilir Meta ndau mesazhin e tij të urimit.
Meta: Mesazhi i solidaritetit, bashkëpunmimit, i vëmendjes ndaj atyre që kanë më shumë nevojë për t’u përkrahur, për t’u ndihmuar. Këto janë mesazhet që na sjell kjo ditë e rëndësishme e besimit islam për të gjithë qytetarët tanë. Është një ditë që dëshmon bashkëjetesën e shkëlqyer ndërfetare, e cila ka në themelet e saj vlerat më të mira njerëzore dhe hyjnore.
Për nënkryetarin e kuvendit Edmond Spaho, kjo ditë e shenjtë jep mesazhin e sakrificës dhe solidaritetit sidomos ndaj më të pamundurve.
Spaho: I uroj myslimanët gëzuar festën e Kurban Bajramit. Të jetë vit i mbarë dhe i begatë ku të sundojë paqja e begatia mbi të gjithë ne. Në këtë ditë të shënuar të Kurban Bajramit është një thirrje për të qenë të lidhur dhe afër njëri-tjetrit. Një ditë për sakrifica ndaj atyre që e sigurojnë ekzistencën me mund e vështirësi. I gjithë viti të jetë i mbarë, i mirëqënies e dashurisë për njëri- tjetrin.
Thirrje për solidaritet ndau edhe kryebashkiaku Erion Veliaj.
Veliaj: Dua falënderoj qindra vullnetarë të bashkisë, qendrave sociale, shoqatave humanitare xhamisë që mbrëmë kanë shpërndarë mish për 2 mijë familje që janë në nevojë ekonomike. Ky është një apel që mund të jemi solidarë jo me statuse e lajka, por me diçka konkrete. Nëse ne do funskionomin me këtë mentalitet të bashkimit solidaritetit, sakrificës çdo ditë do të ishte mrekuli. Unë nuk jam naiv, e di se mrekullitë mezi ndodhin. E e di se kur të vijë shtator do rikthehet sherri, debati. Lutem që shtatori të na gjejë të bashkuar dhe siç jemi në festa të jemi edhe në ditët e punës.
Shefi i ekzekutivit Edi Rama, ai i opozitës Lulzim Basha dhe kreu i kuvendit Gramoz Ruçi urimet e tyre zgjodhën t’i ndanin përmes rrjetit social facebook.
Në postimin e tij Rama përcjell urimin, të shoqëruar me një video që tregon punën për ringritjen e disa objekteve të kultit të fesë myslimane në Berat, Tiranë, Gjirokastër e Delvinë. Ai shkruan se xhamitë janë pjesë e thesarit tonë të trashëgimisë historike e kulturore.
Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, në urimin e tij për këtë ditë feste bëri thirrje që tolerancën si besimtarë, ta plotësojmë edhe me tolerancën si qytetarë.
Kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha lutjet e tij i çon në veçanti tek të pamundurit, të braktisurit dhe të nëpërkëmburit, në këtë festë të flijimit që kremton mposhtjen e egos dhe forcën e besimit. Mesazhi i kësaj dite – vijon ai – dëshmon se nuk ka sprovë që nuk kalohet me besim tek Zoti dhe dashuri për Atdheun, familjen dhe njëri-tjetrin./abcnews.al