“Politika të bën pis”, Tarifa thirrje Ramës: Nuk kemi filozof në Shqipëri, kushtojini vëmendje shkencave

schedule13:25 - 28 Shkurt, 2023

schedule 13:25 - 28 Shkurt, 2023

“Për të mirën publike” është libri më i ri i profesor Fatos Tarifës, i cili përmban disa letra drejtuar figurave të njohura të politikës dhe jo vetëm. Gjatë një interviste në “Pas Mesnate”, në ekranin e ABC News, ai nuk la pa përmendur disa detaje nga këto letra, duke u ndalur edhe te njëra për kryeministrin Edi Rama.

Tarifa i ka bërë thirrje këtij të fundit t’i kushtojë vëmendjen e duhur disiplinave humane dhe shkencave sociale në Shqipëri.

“Më duket se një ndër letrat që i kam dërguar kryeministrit Edi Rama, është kjo që ai si kryeministër dhe si artistë në profesion, të jap shembullin, të bëhet ai i pari që i kushton vëmendjen e duhur humaniteteve, disiplinave humane dhe shkencave sociale në Shqipëri, sepse këto them po vdesin. Ne nuk kemi filozof në Shqipëri, nuk kemi sociolog. Pak njerëz mund të përkthejnë nga latinishtja dhe greqishtja e lashtë. Pak arkiologë kemi, ndërkohë që Shqipëria është një thesar arkiologjik, pak historian, pak gjuhëtar dhe prandaj ka nevojë të madhe për një investim të madh”, tha ai.

Më tej, profesori tregoi edhe arsyen pse shumë njerëz të shquar si shkrimtarët apo edhe në fusha të tjera nuk pranojnë të bëhen pjesë e politikës.

“George Bush thoshte: ‘Politika të bën pis’. Kushdo që është futur në politikë, sado i ndershëm të ketë qenë është ndotur nga të tjerët. Ju e shikoni se çfarë lufte pa princip bëhet në parlament dhe jashtë parlamentit. Tha që unë them, pse këta njerëz pranojnë të zgjidhen. Shumë prej tyre nuk meritojnë të jenë parlamentar, por edhe ata që janë bëhen dashur pa dashur pjesë e një lufte, që i bën pis në fjalë, i bën pis në sjellje, shpifje sa të duash. Kjo është një ndër arsyet. Intelektuali veç të tjerash dhe kjo ndoshta është arsyeja kryesore, është njëri i lirë, ka mendjen e tij, gjykon mbi bazën e arsyes së vetë, nuk është një ushtar i regjimentuar i partisë, që kryetari i thotë do bësh kështu dhe do votosh kështu, edhe ai do bëj atë”, u shpreh Tarifa./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!