Politika pengon “paqen“ ekonomike Kosovë-Serbi

schedule08:18 - 20 Janar, 2021

schedule 08:18 - 20 Janar, 2021

Prodhimet nga Serbia shtohen dhe janë dominuese në tregun e Kosovës prej dekadash. Serbia shet shumë më shumë se sa Kosova, por të dhënat e muajve të fundit, tregojnë për një rritje të produkteve kosovare në tregun serb. “Disbalanca është 1 me 10”, thotë Berat Rukiqi, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës kur përshkruan shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Serbisë. Varësinë ndaj produkteve serbe, kosovarët nuk kanë mundur ta heqin as pas luftës së vitit 1999. “Sa është tërhequr ushtria serbe, ka filluar tregtia”, kujton Rukiqi. Prodhimet nga Serbia ende dominojnë tregun kosovar.

Të hiqen barrierat për prodhuesit e Kosovës që eksportojnë në Serbi

“Është e vërtetë që ne nuk i kemi disa prodhime dhe na ka leverdisur të përdorim ato serbe, arsyeja ka qenë çmimi…”, thekson kryetari Rukiqi, një nga ekspertët e rinj të Prishtinës, që një pjesë të studimeve i ka kryer në Bruksel. Fokusi i tij kryesor, thotë të jetë, heqja e barrierave për prodhuesit e Kosovës që eksportojnë në Serbi apo e përdorin Serbinë si vend tranzit.

Arsyet janë të ndryshme, por kryesorja është deklarimi i adresës së prodhuesve, pasi me ligjet e Kosovës në ambalazh duhet vendosur adresa me emrin kushtetutes – Republika e Kosovës. Këtë emërtim, nuk e pranon Republika e Serbisë bashkë me shumicën e dokumentave të tjera. Kështu, disbalanca e shkëmbimeve tregtare është mjaft e thellë.

Rreth 500 milionë euro mallra “Made in Serbia” kanë hyrë çdo vit në Kosovë deri para taksës së qeverisë në Prishtinë prej 100 përqind, gati dy vite më parë.

Serbia shfrytëzoi mungesën e politikave ekonomike të Kosovës

“Një disbalancë e tillë është bërë në mënyrë artificiale. Kosova pas luftës nuk ka pasur politika ekonomike dhe këtë Serbia e ka shfrytëzuar mjeshtërisht”, vlerëson Rukiqi. Kjo ndryshoi paksa pas taksës dhe Serbia e ka humbur një pjesë të tregut. “Ne nuk mund të flasim për suksesin e një bashkëpunimi përderisa nuk kemi një rritje të pranisë së prodhimeve të Kosovës në tregun e Serbisë”, thotë Rukiqi në intervistë për DW.

Nga zyra e tij në Prishtinë, Rrukiqi thotë, se “prodhimet kosovare kanë probleme të mëdha pasi Serbia e pranon vetëm një dokument dhe ai është i prejardhjes, por për çdo gjë tjetër është e komplikuar”. Nga ana tjetër “prodhimet serbe nuk kanë asnjë pengesë të hyjnë në Kosovë”, shton Rukiqi.

Pesë muaj pas heqjes së taksës nga Kosova, dhe arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, Rukiqi shkoi në Beograd për t’u takuar homologun e tij, Marko Çadezh, kryetarin e Dhomës Ekonomike të Serbisë, asociacionit më të madh ekonomik në Serbi. Së bashku në Ambasadën e SHBA-së në Beograd, në shtator të vitit të kaluar, ata firmosën themelimin e ekipeve të përbashkëta të sipërmarrësve në mënyrë që të përgatiten për projekte.

Ekonomitë e dy vendeve shumë të lidhura

Më komod në pozitën e tij, është Marko Çadezh, një ekspert i shkolluar në Frankfurt, në zyrën e tij në Beograd. Dhoma që ai drejton përbëhet nga biznese që eksportojnë miliona euro mallra në Kosovë.

Ai i ka parasysh pengesat për bizneset në Dhomën që drejton Rrukiqi. Ai thotë se problemet ndaj kompanive dhe prodhimeve të Kosovës janë reale dhe se e ngadalësojnë tregtinë. “Ekonomitë tona janë shumë të lidhura. Në kohën e taksës ka pasur kompani nga Kosova që lënden e parë e blejnë në Serbi, por eksportojnë në vende të tjera prodhimet e tyre dhe nuk kanë qenë më konkurrent”, sqaron Çadezh, duke shtuar se “ekonomitë tona janë të lidhura si enët e gjakut”.

Serbia vitin e kaluar ka arritur të marrë 2.9 miliardë investime të huaja, ose 62 për qind të të gjitha investimeve të huaja që kanë arritur gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mendohet se do të përbënin përfundimisht projektin e mini-Shengenit.

Marko Çadezh është pro bashkëpunimit pa limite në ekonomi, jo vetëm Kosovë – Serbi. “Përse duhet ta ndalojmë transportin me tren për shkak se politika nuk ka rënë dakord se e kujt është hekurudha?”, përgjigjet me pyetje Çadezh, kur sqaron se a mund të zgjidhë një pjesë të problemeve projekti i mini-Shengenit ballkanik, në të cilin tashmë janë të dyja vendet.

“Politika duhet të merret me problemet politike. Por, unë shoh një potencial pikërisht për Kosovën tek mini-Shengeni pasi mund të zgjidhim shumë shpejt disa probleme që kanë ngelur në nivelin politik”, thotë kreu i Dhomës së Tregtisë në Serbi.

Çadezh beson se duhen pranuar të gjitha dokumentat, pasi vendet e rajonit të gjitha procedurat i kanë në bazë të standardeve të Bashkimit Evropian dhe thotë se nuk ka arsye që ato të mos aprovohen. “Vetëm pas marrëveshjes së Uashingtonit kemi pasur një rritje të disa kompanive nga Kosova që kanë firmosur marrëveshje dhe kanë tregtuar më shumë me Serbinë”, thotë Çadezh, duke shtuar se kjo gjë nuk mjafton: “Investiorët e huaj mendojnë ndryshe për një treg prej 18 milionë banorësh”.

Presidenti Çadezh, thotë se projektet e ideuara përmes marrëveshjes së Uashingtonit, pavarësisht ndryshimit të administratës amerikane, do të realizohen me garancitë e agjencisë amerikanë për zhvillim (DFC). “Njerëzit janë më të vetëdijshëm dhe mendoj se edhe politikanët duhet t’i ofrojnë diçka votuesve të tyre. Nuk mund t’ua ofroni gjithnjë të shkuarën. Mendoj se po kuptojmë që duhet të ofrojmë dhe realizojmë të ardhmen. Nuk flasim për interesa të vogla ekonomike, por për korniza të qarta se si funksionon ekonomia dhe kapitali”, shton Çadezh i bindur për marrëdhënie më të mira ekonomike me Kosovën dhe rajonin.

Këtë e kërkon edhe Berat Rukiqi, presidenti i Odës Ekonomike të Kosovës, i cili thotë se përveç dokumentacionit është shumë e rëndësishme klima në të cilën zhvillohet një marrëdhënie tregtare. “Disa nga sipërmarrësit tanë kanë provuar të jenë nëpër raftet e marketeve në Serbi me prodhimet e tyre, por nuk janë pritur mirë. Janë sulmuar me propagandë në faqet e para të tabloideve dhe janë akuzuar se janë financues të UÇK-së”, thotë Rukiqi, duke shtuar se “duhet besim dhe një klimë tjetër për progres. Nuk mund të fitoj dikush dhe ne të ndalohemi”./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!