Politika paralizon Krishtlindjen në SHBA

schedule07:43 - 26 Dhjetor, 2020

schedule 07:43 - 26 Dhjetor, 2020

Presidenti Donald Trump e kaloi Ditën e Krishtlindjes duke luajtur golf në klubin e tij në West Palm Beach të Floridës, ndërsa miliona amerikanë përballen me rrezikun e humbjes së përfitimeve të papunësisë dhe kërcënimin e një mbylljeje të pjesshme të qeverisë javën e ardhshme, nëse ai refuzon të nënshkruajë një paketë prej 2.3 trilionë dollarësh për ndihmë për koronavirusin dhe shpenzimesh qeveritare.

Presidenti i zgjedhur demokrat Joe Biden, fitoren e të cilit Trump ende refuzon ta pranojë gati dy muaj pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, e kaloi ditën në shtëpinë e tij në Delauer dhe nuk kishte asnjë aktivitet publik, sipas ndihmësve të tij. Zoti Biden e merr detyrën më 20 janar.

Trump i kapi në befasi anëtarët e dy partive kur papritur njoftoi këtë javë kundërshtimin e tij për paketën e shpenzimeve prej 2.3 trilionë dollarësh, për të cilën anëtarët e Kongresit negociuan muaj të tërë para se ta miratonin. Projekt-ligji siguron 892 miliardë dollarë ndihmë për koronavirusin dhe 1.4 trilionë dollarë buxhetin e rregullt të qeverisë.

Një burim në dijeni të situatës tha se shumë zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë u kapën në befasi. Ndërsa strategjia e Presidentit Trump në vazhdim e sipër është e paqartë, është ende e mundur që ai ta nënshkruajë paketën, duke pasur parasysh se nuk ka bërë një kërcënim të drejpërdrejtë për veto.

Projekt-ligji është tani në Mar-a-Lago, vendpushimi i zotit Trump në Florida, në pritje të vendimit të tij.

Pa nënshkrimin e projekt-ligjit nga ana e tij, rreth 14 milion njerëz do të humbin përfitimet e papunësisë të shtunën dhe një mbyllje e pjesshme e qeverisë do të fillojë të martën.

Trump luajti golf me aleatin e tij të afërt, senatorin republikan Lindsey Graham, tha një burim i njohur me aktivitetet e presidentit. Shtëpia e Bardhë tha se ishte informuar lidhur me një shpërthim të një automjeti në Nashville nga i cili u plagosën tre persona dhe që policia e përshkroi si një “veprim të qëllimshëm”.

Në prag të Krishtlindjes, zoti Trump postoi në Twitter një sërë ankesash, duke përsëritur pretendime të pabazuara në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve, përfshirë një akuzë ndaj republikanëve të Senatit që sipas tij e kanë braktisur, pasi shumë prej tyre e kanë pranuar publikisht zotin Biden si fitues i zgjedhjeve.

Presidenti Trump, i cili u përfaqësua në negociatat me ligjvënësit nga Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin dhe nuk kishte kundërshtuar dispozitat e projekt-ligjit para votimeve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, u ankua se paketa parashikonte shuma të mëdha për interesa të veçanta dhe ndihmën e huaj dhe tha se 600 dollarët në pagesa direkte për shumicën e amerikanëve ishin shumë pak, duke kërkuar që shuma të rritet në 2,000 dollarë.

Kongresi do të rikthehet

Amerikanët përballen me një sezon të pashembullt pushimesh mes një pandemie që ka shkaktuar vdekjen e pothuajse 330,000 vetëve në Shtetet e Bashkuara dhe numri i përditshëm i të vdekurve është vazhdimisht mbi 3,000, më i larti që nga fillimi i pandemisë.

Zoti Trump bëri këtë javë dhjetëra falje, përfshirë ish-ndihmës të tij dhe katër roje të një firme private sigurisë të dënuar për vrasjen e civilëve të paarmatosur irakianë.

Ndërkohë, Kongresi, i cili normalisht nuk ka punime javën e fundit të dhjetorit, do të përgatitet të kthehet.

Të hënën, pas fundjavës së Krishtlindjes, Dhoma e Përfaqësuesve është planifikuar të votojë mbi veton e zotit Trump për një projektligj prej 740 miliardë dollarësh që autorizon programet e mbrojtjes së vendit. Nëse votimi i kësaj Dhome ka sukses, Senati mund ta mbajë votën e tij që të martën.

Presidenti Trump gjithashtu mund të zgjedhë të përdorë një mekanizëm tjetër në vend që të vërë veton e plotë ndaj paketës për ndihmën e koronavirusit

Duke qenë se Kongresi aktual skadon më 3 janar, zoti Trump mund të lejojë që periudha normale 10-ditore brenda së cilës një president duhet të nënshkruajë ose të vërë veton e një projekt-ligji, thjesht të kalojë. Projekt-ligjet humbin fuqinë nëse nuk miratohen gjatë sesionit të Kongresit në të cilin paraqiten.

Nëse ai vendos veton, Dhoma dhe Senati mund të përpiqen ta shfuqizojnë atë javën e ardhshme. Kongresit gjithashtu mund t’i duhet të miratojë një projekt-ligj të përkohshëm për shpenzimet qeveritare të hënën, para se fondet për funksionimin e qeverisë të skadojnë në mesnatë.

Po të hënën, Dhoma e kontrolluar nga demokratët planifikon të votojë për një variant projekt-ligji që parashikon pagesa prej 2,000 dollarësh për të ndiihmuar individët gjatë pandemisë së koronavirusit. /VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!