Politika nuk ka vend për dhunën

schedule12:09 - 14 Janar, 2021

schedule 12:09 - 14 Janar, 2021

Nga Steve Scalise, The Wall Street Journal

Unë jam ende i zemëruar me ngjarjet që ndodhën më 6 janar në Capitol Hill. Dua t’i shpreh ngushëllime familjes së oficerit të Policisë së Capitol, Brian Sicknick, që humbi jetën nga plagët e shkaktuara nga protestuesit, dhe jam i shqetësuar mbi moralin dhe sigurinë e kolegëve të tij.

Shqetësim kam edhe për sigurinë e kolegëve të mi, stafit dhe gazetarëve që punojnë në Uashington. Presidenti Donald Trump duhej ta kishte denoncuar sulmin pa mëdyshje që gjatë kohës që ai po ndodhte. Ajo që ndodhi të mërkurën e 6 janarit doli përtej së drejtës ligjore të çdo kandidati që ka garuar në zgjedhje, dhe është një tjetër shenjë e qartë se ligjërimi publik në SHBA ka dalë jashtë kontrollit.

Kanë mbetur vetëm disa ditë deri në ceremoninë e përurimin të presidentit të zgjedhur Joe Biden, dhe “temperatura jonë kombëtare” është shumë e lartë. Në fakt, tensionet ishin rritur shumë kohë para ngjarjeve të së mërkurës. Për hir të vendit tonë, politikanët dhe figurat kryesore në media – nga të dyja palët – duhet që ta zbusin retorikën e tyre.

Në vitin 2017, unë u plagosa në një fushë bejsbolli nga një njeri armatosur, i motivuar politikisht. Atentatori u ndikua shumë nga demonizimi i kongresmenëve republikanë, si dhe nga disa politikanë demokratë, deklaratat e të cilëve u përforcuan nga mediat kryesore.

Pas plagosjes, unë mora një vendim të ndërgjegjshëm për të mos bërë askënd tjetër përgjegjës për aktin,përveç personit të armatosur që qëlloi drejt meje. Por do të ishte naive të mendoje se ai arriti ta marrë këtë vendim ekstrem i nxitur nga hiçi.

Dhe është po aq naive të mendosh se protestuesit e Capitol Hill, arritën në vendimin e tyre për të mësyrë në godinë pa ndonjë nxitje. Retorika e dhunshme ndihmon në radikalizimin e njerëzve. Si republikanët ashtu edhe demokratët, duhet të kenë qartësinë morale për t`a denoncuar këtë lloj gjuhe sa herë që ajo shfaqet, dhe jo vetëm kur vjen nga pala tjetër kundërshtare.

Shumë demokratë, të cilët me të drejtë nxituan të na bashkohen ne të tjerëve në dënimin e ngjarjeve në Capitol Hill, ishin dukshëm të heshtur gjatë verës së vitit të shkuar. Në ato muaj, amerikanët panë sesi u plaçkitën bizneset e vogla, ndërsa qytetet u përfshinë nga flakët.

Progresistët radikalë sulmuan departamentet e policisë dhe gjykatat federale, ndërsa protestuesit e majtë u përplasën vazhdimisht me policinë. Në Mineapolis, Kenosha dhe qytete të tjera, shumë zyrtarë të zgjedhur lejuan një shpërfillje mizore të jetës, pasurisë dhe sundimit të ligjit, pikërisht në emër të drejtësisë shoqërore.

Shumë njerëz në media e përkrahnin dhunën. “Më tregoni se ku thuhet që protestuesit supozohet të jenë të sjellshëm dhe paqësorë”- i tha Chris Cuomo CNN-it. Zyrtarët e zgjedhur dhe personalitetet e medias, kanë përgjegjësinë t`a dënojnë dhunën politike dhe retorikën e dhunshme kudo që ajo shfaqet, dhe jo vetëm kur është politikisht e përshtatshme të bëhet diçka e tillë.

As republikanët nuk janë një model në këtë drejtim. Ata duhet t’i përkushtohen këtij ideali përkrah demokratëve. Dënimi selektiv i dhunës politike, u dërgon autorëve mesazhin se mbështetet dhuna dhe shkatërrimi në emër të një axhende politike.

Ne duhet t’i japim njëherë e mirë fund kësaj ideje të rrezikshme. Amerika i zgjidh dallimet e saj përmes debatit dhe demokracisë, dhe jo përmes sundimit të turmës dhe dhunës. Unë e hedh poshtë idenë se ajo që u pa të mërkurëne 6 janarit, ishte një protestë kryesisht paqësore, apo se ishin pjesëtarët e infiltruar të ANTIFA-s, ata që e çuan turmën drejt Capitol Hill.

Gjithashtu, unë refuzoj t`a pranoj idenë se veprimet e turmës përfaqësojnë me saktësi motivet e miliona amerikanëve që votuan për presidentin Trump apo Partinë Republikane. Ne duhet të jemi të arsyeshëm dhe të ndershëm, ndërsa mbajmë të përgjegjshëm veten dhe të tjerët.

Unë i nxis të gjithë amerikanët që t’i rezistojnë tundimit për t’i hedhur benzinë zjarrit. Duke pasur parasysh konsideratat praktike, unë besoj se si procesi i fajësimit të Trump, por edhe thirrjet për të evokuar Amendamentin e 25-të përfaqësojnë pikërisht këtë, më shumë benzinë për një zjarr tashmë të shfrenuar.

Sigurisht, do të ketë gjithmonë disa që do të refuzojnë thirrjet për bashkim, dhe në vend të kësaj kërkojnë hakmarrje. Por më besoni, asnjë e mirë nuk mund të na vijë nga ajo mendësi. Uniteti dhe llogaridhënia janë të pajtueshëm mes tyre.

Kushdo që ju thotë të kundërtën, po përpiqet të lajë hesapet politike të së kaluarës. Republikanët kanë përgjegjësinë t`a ndreqin shtëpinë tonë të përbashkët, dhe të përqendrohen në sigurimin e një tranzicioni të qetë të pushtetit.

Por, këtë përgjegjësi e kanë edhe demokratët. Unë jam i përkushtuar të ndjek këto 2 synime, dhe i ftoj të gjithë ata që e duan vërtet madhështinë e Amerikës, të bashkohen me mua për të mësuar nga gabimet e së kaluarës, ndërsa ndërtojmë një të nesërme më të ndritur. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Steve Scalise, është kongresmen republikan nga shteti i Luizianës.