Policia shkoi t’i arrestonte shokun, dy vëllezërit rrihen me efektivët

schedule14:20 - 17 Nëntor, 2020

schedule 14:20 - 17 Nëntor, 2020

Policia ka arrestuar dy vëllezër në Vlorë pasi kundërshtuan me dhunë forcat e rendit gjatë arrestimit të një personi të kërkuar.

Burime bëjnë me dije se policia kishte marrë informacion se një person i kërkuar ishte duke lëvizur pranë parkut “Aulona” duke bërë që efektivët të niseshin atje për të kryer verifikimin e tij.

Pasi kanë shkuar, policia konstatoi se personi në kërkim ishte në shoqërinë e dy vëllezërve në fjalë, të cilët kundërshtuan me dhunë kryerjen e procedurave nga forcat e rendit.

Njoftimi i plotë

Burime zyrtare bëjnë me dije se Dy vëllezër në Vlorë janë arrestuar pasi kanë kundërshtuar me dhunë  punonjësit e Policisë.

Njoftohet se, policia pas informacioneve të marra në rrugë operative se në rrugën “Ismail Qemali”, pranë parkut “Aulona”, lëvizte një shtetas i dyshimtë, kanë bërë kontrolle në këtë zonë dhe kanë parë një qytetar që kishte ngjashmëri me përshkrimin e dhënë. Ai shoqërohej edhe nga dy persona të tjerë.

Kur policia i dha urdhër që të ndalonte, A. Xh. thuhet se ka kundërshtuar urdhrin e tyre.

Gjatë shoqërimit të A. Xh. për në Komisariat, punonjësit e Policisë janë kundërshtuar me dhunë nga vëllezërit e tij, F. Xh. dhe Xh. Xh.

Pas ndërhyrjes së shërbimeve të tjera, vëllezërit janë ndaluar dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Vlorë.

Kështu, në pranga përfunduan F. Xh., 25 vjeç dhe Xh. Xh., 29 vjeç, banues në Lushnjë, për veprën penale “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”, ndërsa në gjendje të lirë u procedua A. Xh., 21 vjeç, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!