Pas sekuestrimit të aparatit celular të Izmir Sakicës, janë gjetur foto dhe video me armë të kalibrave të ndryshëm. Në telefon janë gjetur filmime të Sakicës e të tjerë personave duke bërë qitje me armë zjarri.
Ajo çka bie në sy është pikërisht një person për të cilin në dosjen hetimore shkruhet person i paidentifikuar. Burime për ABC News thonë se ky shtetas është Mikel Kodra, oficer i patrullës së përgjithshme në Malësinë e Madhe.
Gazetarja Etleva Delia e ftuar në “News Line” në ABC News tha se identiteti i policit u zbulua vetëm pas publikimit të fotove në media. Ndërkohë ai rezulton “i zhdukur”. Sipas saj Mikel Kodra është thirrur nga AMP, por nuk është paraqitur, pas kontrollit ai nuk është gjetur as në banesa, çka ngre dyshimet se mund të jetë arratisur.
Delia shton se Mikel Kodra është nipi i Prek Kodrës, i njohur si snajperist i grupeve kriminale dhe që është i shpallur në kërkim, prej gati 3 vitesh.
“Është një person i paidentifikuar, siç thuhet në dosjen e SPAK. Është një ngjarje që ka ndodhur në vitin 2024, këto pamje kanë qenë në duart e prokurorive. Ky person arriti që të zbulohej pasi u publikuan këto pamje në media. Është oficer në patrullë e përgjithshme në Malësinë e Madhe. U thirr nga AMP, por nuk u paraqit. Iu bën kontroll në banesë, por nuk u gjet në banesë.
Ngjarja për të cilën këto pamje flasin, që janë gjetur në celularët e dy policëve të arrestuar, pak para se të ndodhte masakra e Drobaçit. Në Bushat ka pasur një përplasje me armë zjarri, ku u gjetën makina të blinduara, ku dyshohet se qëllimi ishte që të kryhej një vrasje. Nga shkurti i vitit 2025 e deri tani supozohet që këto foto e video kanë qenë në duart e policisë, ka pasur mundësi që të identifikohej më parë. Mikel Kodra është nipi i një personazhi shumë të rrezikshëm, Prek Kodra, i cili është në kërkim.
Nuk kuptohet se si ai mund të lejohet të bëhej pjesë e forcave të policisë. Ky ishte një person që stërviste personat e dyshuar të ngjarjes, se si të gjuanin me armë. Prek Kodra i cili vazhdon të jetë në kërkim pre 3 vitesh, dyshohet të ishte një qitës shumë i mirë, prandaj edhe përdorej nga grupi Bajri. Pasojat janë personale për secilin person të akuzuar. Nëse veprimi i tij kufizohet vetëm në stërvitjen e anëtarëve të grupeve kriminale, apo është përfshirë në grupet kriminale, kjo do të verifikohet”, tha gazetarja Delia.


