Policia njofton gjobën e tretë: Administratori i call-center nuk kishte marrë masa mbrojtëse për punonjësit

schedule16:00 - 17 Mars, 2020

schedule 16:00 - 17 Mars, 2020

Policia vijon kontrollet në të gjithë vendin për respektimin e masave dhe urdhrave të marra nga qeveria. Gjatë ditës së sotme janë marrë masa administrative ndaj personave që janë gjetur në shkelje.

Në një njoftim për mediat, bëhet me dije se sot është gjobitur një administrator call center-i dhe një administrator i një lokali.

Po ashtu më herët gjatë ditës së sotme janë gjobitur edhe një 29 vjecar në Pogradec i cili kishte ardhur nga Italia dhe kishte thyer rregullin e vetkarantinimit. Ndërkohë edhe në Dibër është gjobitur një tjetër 29 vjeçar për të njëjtin shkak. 29 vjeçari nga Dibra ka thyer rregullin e vetkarantinimit pasi kishte ardhur nga Italia.

Gjatë ditës së sotme janë gjobitur gjithsej 3 persona me masën administrative prej 700 000 lekësh.

Njoftimi i policisë së Durrësit:

“Ndëshkohen me masë administrative, administratori i një call-center-i dhe i një lokali

Në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga Qeveria Shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19, nga ana e Seksionit të Rendit në Komisariatin e Policisë Durrës, gjatë kontrollit të qytetit, për zbatimin e Telegramit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Shtetit me Nr. 1952 Prot., datë 10.03.2020 për “Moslejimin e grumbullimeve në ambientet e hapura dhe të mbyllura”, si dhe aktit normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, gjatë ditës të sotme janë konstatuar subjektet si më poshtë:

  • Subjekti call-center, në lagjen nr. 1, Durrës, me përfaqësuese të autorizuar shtetasen M. Z. Pas kontrollit në ambientet e brendshme të këtij subjekti u konstatua se punonjësit nuk ishin të pajisur me masa mbrojtëse. Ky subjekt ka marrë masën administrative 700 000 lekë.
  • Lokali nën administrimin e shtetases Sh. A., 51 vjeçe, me emërtimin “Bar-kafe”, në lagjen nr. 16, Durrës, ka marrë masë administrative 100 000 lekë.

Policia u bën thirrje qytetarëve t’u binden ndalesave të përcaktuara dhe të kufizojnë sa më shumë lëvizjet, për të mirën e përbashkët”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!