“Policia, në revansh ndaj luftës kundër krimit”/ Balla te ‘Siguria’: Zero tolerancë për kundërshtimin apo goditjen e punonjësit të policisë

schedule11:39 - 19 Korrik, 2024

schedule 11:39 - 19 Korrik, 2024

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj rasteve të kundërshtimit apo dhunimit të punonjësve të policisë. Duke folur në komisionin e Sigurisë, Balla u shpreh se edhe drejtësia duhet t’i shqyrtojë me vëmendje të veçantë rastet kur kundërshtohet polici.

“Sa i përket policisë së shtetit, mendoj se ka ardhur koha për një qasje të re të publikut në marrëdhëniet me policinë. Mos harroni që policia e shtetit sot është i pari që mbërrin në çdo lloj ngjarjeje sepse bie zjarr, se përmbytet, se ndodhin ngjarje kriminale, aksidente rrugore dhe gjithçka tjetër.

Dhe prandaj kam kërkuar me kompetencat që më njeh ligji si ministër i brendshëm i kam kërkuar drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit që të mos tolerohet asnjë rast i refuzimit, i kundërshtimit, më keq akoma i goditjes së punonjësit të policisë për shkak të detyrës apo raste tragjike në dëm të jetës së punonjësve të policisë. Policia e shtetit sot ka nevojë për mbështetje të të gjithëve, është në një moment historik të një revanshi si asnjëherë më parë ndaj luftës së krimit të organizuar dhe ky ligj synon të konsolidojë pavarësinë dhe trajtimin e duhur moral, financiar të punonjësve të policisë.

Por duhet edhe drejtësia t’i shqyrtojë me vëmendje të veçantë rastet kur kundërshtohet me forcë një punonjës policie. Çdo qytetar ka të drejtën që ta kundërshtojë një masë por ta bëjë përmes avokatit në gjykatë apo prokurori por që të guxojë të prekë punonjësin e policisë me dorë është e papranueshme.”, tha Balla./abcnews.al