Policia mësyn në “Call Center”-in e izraelitit në Tiranë, 18 persona të arrestuar

schedule11:50 - 24 Dhjetor, 2021

schedule 11:50 - 24 Dhjetor, 2021

Prokuroria ka lëshuar 18 urdhër arreste në lidhje me aksionin e finalizuar një natë më parë në një Call Center në Tiranë ku u shoqëruan 60 punonjës. Burime bëjnë me dije për ABC se po vazhdojnë ende veprimet hetimore për të arritur në përfundimin se sa prej tyre do të arrestohen ndërkohë që pjesa tjetër pritet të hetohen në liri.

Mësohet se kompania ku janë bërë shoqërimet është e regjistruar në emër të një shtetasi izraelit. Hetimi në lidhje me këtë aksion të bluve është regjistruar për mashtrime kompjuterike. Ky është një rast i përsëritur i mashtrimit me anë të Call Center i zbuluar pak muaj më parë pas një aksioni të bujshëm në kryeqytet.

Rasti më i fundit i goditur nga policia është ai i Shkodrës, rreth një muaj më parë ku në pranga u vunë 8 persona që mashtronin qytetarët me anë një skeme që kryesohej nga një shtetas polak. Sipas bluve ky grup mashtronte qytetarë të vendeve të Bashkimit Europian duke iu telefonuar për t’i ftuar të investonin në gjoja bursa; kriptomonedha apo forex. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!