Policia harton planin e sigurisë në institucionet e arsimit

schedule16:35 - 14 Shtator, 2018

schedule 16:35 - 14 Shtator, 2018

Viti i ri shkollor, i cili fillon me 17 shtator, do të nisë edhe me një prezencë të shtuar të punonjësve të policisë për rritur parametrat e sigurisë pranë institucioneve të arsimit. Në një deklaratë për mediat, drejtori i rendit dhe sigurisë në policinë e shtetit pohon se janë përcaktuar në mënyrë të detajuar detyrat që do kryejnë punonjësit e policisë me shërbim pranë shkollave, me qëllim, parandalimin e çdo akti të mundshëm kriminal në këto ambiente.

Albert Dervishaj, drejtor i rendit në Policinë e Shtetit: “Policia e Shtetit në përmbushje të misionit dhe të detyrave të përcaktuara me ligj ka marrë një sërë masash për të garantuar sigurinë publike, rendin dhe qetësinë, për të parandaluar ngjarje kriminale, apo aksidente rrugore, si dhe zhvillimin normal të procesit mësimor në shkolla dhe përreth tyre.

Kjo duke filluar nga dita e parë e fillimit të vitit të ri shkollor në datën 17 Shtator dhe në vazhdimësi, për çdo ditë të zhvillimit të këtij procesi.
Komisariatet dhe stacionet e policisë sipas Zonave Policore dhe për shkollat që kanë në juridiksion, në orët më të ngarkuara të lëvizjes së nxënësve dhe të personelit, do të sigurojnë prezencë policore me patrullën e përgjithshme, ndihmës specialistët e policimit në komunitet, agjentët e krimeve, si dhe shërbimet e policisë rrugore, në afërsi të institucioneve arsimore. Kjo sidomos në orarin e fillimit e mbarimit të mësimit, gjatë pushimit të madh apo gjatë ndërrimit të turneve në shkolla.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!