Policia greke ka deklaruar zyrtarisht se minoritari Kostandinos Kaçifa nuk u vra për flamurin grek. Sipas policisë greke, nuk ka asnjë provë që ngjarja të jetë shkaktuar nga ndonjë provokim nga pala shqiptare.
Policia Greke ka rrëzuar të gjitha pretendimet që minoritari Kostandino Kaçifa të jetë vrarë për flamurin apo të jetë provokuar nga pala shqiptare. E përditshmja greke “Kathimerini”, por edhe media të tjera të Athinës, citojnë burime zyrtare të Policisë Greke, sipas të cilave autoritetet e vendit të tyre kanë qenë vazhdimisht në kontakt me palën shqiptare. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Greke, Aristeidis Andrikopoulos, ka kontaktuar me homologun e tij shqiptar dhe është mbajtur vazhdimisht i informuar për situatën që po ndodhte në Bularat të Gjirokastrës.
“Kathimerini” shkruan gjithashtu se burime zyrtare nga Policia e Athinës kanë thënë se nuk ka prova apo dëshmi që Kostandino Kaçifa të jetë vrarë për ngritjen e flamurit grek. Vetë policia helene e mohon që 35-vjeçari minoritar të jetë provokuar nga policia shqiptare apo faktorë të tjerë.
Ndërkohë, e përditshmja tjetër “I Efimerida” shkruan se policia greke ka shtuar masat e sigurisë në ambasadën shqiptare në Athinë, në Zyrën Konsullore shqiptare në Selanik, si dhe në biznese e dyqane që i përkasin komunitetit shqiptar në Greqi, për të shmangur çdo episod të dhunshëm nga ekstremistë. Në të njëjtën kohë ekziston frika edhe për të burgosurit shqiptarë në burgjet e paraburgimet e Greqisë./abcnews.al