Riekspertim dhe dëshmitarët/ Në 10 vjetorin e vrasjeve, policia kërkon rihapjen e “21 Janarit”

schedule18:35 - 20 Janar, 2021

schedule 18:35 - 20 Janar, 2021

Nga Glidona Daci dhe Xhensila Kodra

Në 10 vjetorin e vrasjes së 4 protestuesve në bulevard përpara Kryeministrisë, Policia e Tiranës kërkon rihapjen e dosjes së “21 Janarit”.

“ABC” mëson se kërkesa ka të bëjë me vrasjen e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës. Që të kërkohet rihapja e hetimeve duhet që të ketë prova të reja.

Por cfarë ka gjetur dhe kërkon policia?

Kërkohet riekspertim për caktimin e drejtimit të qitjes në vrasjen e bërë ndaj Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës si dhe për plagosjen e disa personave të tjerë.

Po ashtu është kërkuar edhe që të kryhet një riekspertim i predhës së gjetur në trupin e Aleks Nikës. Gjithashtu është kërkuar që të pyeten edhe dëshmitarët, si edhe familjarë dhe të afërm të viktimave.

“Kërkesa e policisë në prokurori është dorëzuar pasditen e sotme. Kërkesa për rihetim është bërë me argumentin se ka mospërputhje në ekspertizën e bërë për armën që është vrarë edhe Aleks Nika.

Në një rast të ekspertizës thuhet se predha është qitur nga një pushkë ndërsa sipas policisë predha që i është gjetur Nikës në trup ka qenë e ngjashme me ato të dala nga një armë tip MP5.

Po ashtu në kërkesë citohet që të bëhet edhe një herë këqyrja dhe riekspertimi i pamjeve filmike në vendet ku u kryen vrasjet dhe personat që mbetën të lënduar.

Prokurorisë i është dërguar edhe një listë me emrat e personave efektivë dhe ish efektivë të Gardës së Republikës që kanë qenë në detyrë më 21 janar” sqaroi një burim për “ABC”.

Tashmë pritet se çfarë do të bëjë prokuroria për dosjen e bujshme, për të cilën i pezulloi hetimet vitin e kaluar.

Më 21 janar 2011, gjatë protestës përpara Kryeministrisë u vranë Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika./ db/Abcnews.al