Policia e përfshirë në Sky dhe Enchro Chat/ Hodaj: Efektivët duhet ta plotësojnë formularin, do mbajnë përgjegjësi

schedule23:35 - 6 Dhjetor, 2023

schedule 23:35 - 6 Dhjetor, 2023

TIRANË- Julian Hodaj, zv.ministri i Brendshëm, i pranishëm në “Ora e Fundit” në ABC News komentoi urdhrin e firmosur nga ministri Taulant Balla, i cili u ka kërkuar të gjithë efektivëve të policisë që me anë të një formulari të tregojnë nëse e kanë përdorur apo jo platformat “Enchro Chat” apo “Sky”. Ai tha se përmes këtij procesi synohet vetëpastrimi i Policisë së Shtetit nga eksponentë të mundshëm, të cilët mund të jenë të përfshirë në këto platforma.

“Me formularin Policia konfirmon integritetin, pasi uniforma e policisë nuk është dosido. Ata duhet të deklarojnë nëse e kanë përdorur ose jo. Vetëpastrimi i policisë nuk është një episod  që mbaron në një ditë, por është në vijimësi. Unë besoj se shumica dërrmuese nuk kanë lidhje me fenomenin. Kushdo që deklaron të dhëna të rreme, do mbajnë përgjegjësi. Qëllimi i formularit është përgjegjësi disiplinore, por kjo nuk e përjashton ndjekjen penale”, tha ai.

Ai u pyet edhe për një ngjarje histori tjetër tragjike, e cila vijon prej vitesh dhe ka të bëjë për konfliktin mes fiseve Lekstakaj dhe Nikulaj në Lezhë. Pak ditë më parë u vra një 40-vjeçar i fisit Nikulaj, ndërsa deri tani nuk ka asnjë të arrestuar.

Numri dy i Ministrisë së Brendshme u shpreh se Policia dhe Prokuroria po kryejnë të gjitha verifikimet e mundshme për identifikimin dhe më pas kapjen e personit apo personave të përfshirë në krim.

“Është një çështje e dhimbshme. Është një histori që zgjat prej dy dekadash, ku kanë ndodhur disa ngjarje dhe besoj se prokuroria po hetojnë për ta zbardhur dhe për ta gjetur autorin/autorët. Policia nga an e saj po bën punën sistematike për të vënë përpara përgjegjësisë autorin”, tha ai./ abcnews.al