Policia e Nigerit gjen 200 kg kokainë në makinën e kryebashkiakut

schedule02:00 - 6 Janar, 2022

schedule 02:00 - 6 Janar, 2022

Një kryebashkiak dhe shoferi i tij janë arrestuar në një shkretëtirë në veri të Nigerit për shkak se policia gjeti më shumë se 200 kg kokainë në makinën e tyre. Dy të dyshuarit, emrat e të cilëve nuk janë publikuar dyshohet se po transportonin drogën në Libi pasi ishte kontrabanduar në vend nga Mali. Agjencia e policisë së drogës në Niger tha se ishte sasia më e madhe e kokainës e kapur në vend.

Trafikimi i drogave dhe konfiskimi i tyre nga policia janë bërë diçka e zakonshme në rajon raporton “BBC”. Zyra Qendrore e Nigerit për Represionin e Trafikut të Paligjshëm të Drogës deklaroi ditën e mërkurë që kanë dijeni që sasi të mëdha kokaine po transportoheshin përmes vendit drejt Libisë. Zëdhënësja e zyrës që merret me trafikun e paligjshëm të drogave deklaroi që gjetën pas një hetimi në datën 2 janar 214 kg kokainë në një makinë që i përkiste zyrës së kryebashkiakut në Fachi.

Zëdhënësja shtoi që është hera e parë që kapet një sasi kaq e madhe kokaine në vend dhe që droga po trafikohej në Evropë ku do të kapte një vlerë tregu prej 19 milion dollarësh. Kryebashkiaku dhe shoferi u dërguan në kryeqytetin e vendit Niamey për tu marrë në pyetje. Fachi është një oaz në shkretëtirën Tenere dhe ndodhet rreth 400 km në veri të qytetit të Agadez.

Rajoni përdoret si një rrugë për lloje të shumta trafikimi si lëvizja e drogës midis Amerikës së Jugut dhe Evropës dhe kontrabandës së emigrantëve. / abcnews.al