Policia e Kosovës: Nga nesër nis aplikimi i gjobave për targat ilegale

schedule19:45 - 21 Nëntor, 2022

schedule 19:45 - 21 Nëntor, 2022

Policia e Kosovës ka në plan të veprojë sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me vendimin për targat ilegale.

Policia ka konfirmuar se duke filluar nga 22 nëntori, Policia do të nis vendosjen e gjobave për drejtuesit e automjeteve me targa të lëshuara nga autoritetet serbe për qarkullim në Kosovë.

“Ashtu siç është bërë e ditur sipas vendimit për targat Nr.05/103, deri me datë 21 nëntor ishte paraparë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa pas kësaj date nga njëzet e dy (22) Nëntori, Policia e Kosovës e ka bërë të ditur se do të filloj  zbatimin e shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi, i cili sipas vlerësimit dhe planit policor pritet të filloj po në këtë datë (22.11.22) gjatë ndërrimit të paradites”, ka thënë për Express zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Kelani ka thënë se Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjell zhvillimet e fundit, dhe në bazë të vlerësimeve ndërmerr masat e nevojshme.

“Referuar situatës dhe zhvillimeve aktuale në vend, Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë këto zhvillime dhe në aspektin operacional bënë vlerësime profesionale konform të cilave ndërmerre masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës”, ka theksuar Kelani. /GazetaExpress/