Tensionet Kosovë-Serbi në kufi dhe akuzat mes palëve tregojnë se raportet mes dy vendeve nuk janë në momentin e tyre më të mirë.
Pas raportimeve të mediave serbe se një grup shqiptarësh të maskuar në rrëzë të Kodrës së Shopit, kanë qëlluar 15 herë drejt anëtarëve të Ushtrisë Serbe janë rrëzuar nga Policia e Kosovës.
Sipas tyre këto janë dezinformata.
“Pretendimet e publikuara në disa media të Serbisë, sipas të cilave një “grup i armatosur shqiptarësh ka qëlluar drejt pjesëtarëve të ushtrisë serbe pranë bazës së ashtuquajtur ‘Debela Glava’”, janë dezinformata, të pabazuara dhe nuk korrespondojnë me asnjë informacion zyrtar apo ngjarje të verifikuar nga autoritetet në territorin e Republikës së Kosovës.”
Sipas autoriteteve të Kosovës, këto informacione të pasakta kontribuojnë në krijimin e perceptimeve të rreme dhe rritjen e tensioneve të panevojshme në zonat kufitare.
Sipas ministrit në detyrë të Kosovës Xhelal Sveçla, “Serbia përmes bandave kriminale e terroriste vazhdon ende të planifikojë e ndërmarrë sulme terroriste në vend. Reagimi i tij vjen një ditë pasi Policia e Kosovës, në bashkëpunim me trupat e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, gjetën 10 detonatorë ndezës me në afërsi të Leposaviçit.
Edhe në të kaluarën, pjesëtarë të qeverisë në detyrë kanë akuzuar Serbinë për përfshirje në raste të ngjashme kur janë gjetur armatime në veriun e banuar me shumicë serbe, por pa ofruar dëshmi që i vërtetojnë këto akuza.
Edhe për to, policia e shtetit ka nisur hetimet dhe kanë vënë në dijeni prokurorin e shtetit.
Veriu i Kosovës vazhdon të jetë pikë e nxehtë posaçërisht nga 24 shtatori i vitit 2023, kur një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku, ndërsa kjo zonë është bërë gjithnjë e më shumë objekt i retorikës politike në vend.

