Policia: 3 efektivë u lënduan në tubimin para Kuvendit

schedule16:56 - 16 Mars, 2019

schedule 16:56 - 16 Mars, 2019

Pas përfundimit të protestës së opozitës, Policia e Shtetit me anë të një reagimi ka bërë të ditur se 3 punonjës policie kanë mbetur të plagosur përpara Kuvendit.

“Gjatë tubimit të paligjshëm përpara Kuvendit, protestuesit krijuan incidente me Policinë dhe më pas e goditën, gjatë përpjekjes për të çarë kordonin e forcave të rendit. Mbi punonjësit e Policisë së Shtetit u hodhën gurë dhe mjete të tjera të forta. Për pasojë u lënduan dhe po mbahen në mbikëqyrje mjekësore 3 punonjës policie, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën”, tha policia në një deklaratë, ku shtoi se “edhe mes tubuesve pati të lënduar, si pasojë e efekteve të gazit lotsjellës, të përdorur nga Policia për të prapsur turmat e dhunshme.”

Në deklaratë thuhet se tubimi i organizuar nga Partia Demokratike e aleatët e saj në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, “në kundërshtim të plotë me ligjin, në mënyrë të papritur dhe të pa lajmëruar, por edhe në kundërshtim me vetë kërkesën e organizatorëve për vendin e protestës, u zhvendos në sheshin para Kuvendit të Shqipërisë.”
Menjëherë pas mbylljes së tubimit, në vendin ku pati akte dhune mbi forca e rendit dhe ndaj institucionit të rëndësisë së veçantë, u ngrit një grup i posaçëm hetimor.

“Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve të përfshirë si dhe dokumentimin e plotë të çdo episodi dhune.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!