“Polici i Habilajve” Jaeld Çela kundërshton prokurorinë nga arratia

schedule15:53 - 16 Shtator, 2018

schedule 15:53 - 16 Shtator, 2018

Kur ka 11 muaj që i fshihet drejtësisë, Jaeld Çela, ish-shefi i Policisë së Vlorës i dyshuar për lidhje me “Habilajt”, ka dhënë shenja jete. Ai i është drejtuar gjykatës me një ankim kundër vendimit që zgjati me tre muaj afatin e hetimit ndaj tij.

Jaeld Çela, ish-shefi i Policisë së Vlorës i dyshuar si garantor i grupit të “Habilajve” në trafikun e drogës ka gati një vit që i fshihet drejtësisë. Por ndonëse nuk guxon të përballet me të, ai nuk heq dorë nga beteja proceduriale nga arratia.

Ish-zyrtari i policisë i shpallur në kërkim bazuar në një masë sigurie “arrest në burg” në mungesë në nëntor 2017, ka dhënë shenja jete pak ditë pasi Krimet e Rënda zgjatën me tre muaj afatin e hetimit për të.

Çela ka bërë ankim në gjykatë për zgjatjen e hetimit. Përmes avokatit të tij, ish-zyrtari i policisë ka depozituar një kërkesë penale që ka për objekt “ankimin mbi zgjatjen e afatit të hetimeve”. Kërkesa mban numrin 221 në kryesekretarinë e Gjykatës për Krimet e Rënda, ku pritet të shqyrtohet nga gjyqtarja Liljana Baku. Seanca e parë e saj është caktuar në datën 21 shtator.

Kjo nuk është hera e parë që Çela ankohet për zgjatjen e afatit të hetimit. Ai bëri të njëjtën kërkesë nga arratia në mars të këtij viti, kur hasi në refuzimiun e gjykatës. Gjykata për Krimet e Rënda zgjati hetimin ndaj ish-kreut të Policisë së Vlorës Jaeld Çela dhe ish-shefin e hetimit të narkotikëve, Gjergji Kohila deri më 20 nëntor 2018 në ditët e para të shtatorit. Kërkesa për zgjatje u argumentua nga prokuroria me nevojën e kryerjes së disa veprimeve hetimore shtesë.

Përveç tyre në kërkim është edhe ish-zyrtari tjetër i Policisë së Vlorës, Sokol Bode. Sipas prokurorëe të krimeve të Rënda, tre ish-zyrtarët e Vlorës kanë ndihmuar dhe garantuar paprekshmërinë e grupit kriminal të “Hablilajve” në trafikun e drogës drejt Italisë. /abcnews.al