Basha paralajmëroi një protestë tjetër para Drejtorisë së Policisë së Tiranës këtë të diel dhe shkak për thirrjen e saj ishte arrestimi mbrëmjen e kaluar i sekretarit organizativ të PD, Sahit Dollapi. Ngjarja ndodhi para Kuvendit, ku protesta u zhvendos pas kryeministrisë, e ku kishte nisur tensioni me policinë.
Siç shihet nga pamjet, pati një komunikim mes tij e policisë, që i kërkoi të hiqte maskën anti-gaz, një kërkesë e vazhdueshme e saj ndaj protestuesve të maskuar.
Kësaj kërkese të policisë, Dollapi iu përgjigj duke u larguar me vrap, por teksa u rrëzua, policët e arritën dhe e izoluan përmes goditjeve me shkopinj gome dhe e shoqëruan në drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Ishte Presidenti i Republikës që reagoi, duke kërkuar që Sahit Dollapi të dërgohej për mjekim në spital dhe pas mesnate ai u dërgua në spitalin e Traumës me shoqërim të lartë policor.
Policët janë larguar nga spitali rreth orës 1 të mëngjesit, pasi Dollapi u lejua të vizitohej nga Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca. ABC News ka mësuar se Dollapi ndodhet ende në Spitalin e Traumës, e burime bëjnë të ditur se do qëndrojë ende nën kujdesin e mjekëve.
Mësohet se Dollapi do bëjë një kallëzim për dhunën e ushtruar ndaj tij nga ana e policisë sapo të dalë nga spitali. Vetë Dollapi që është vizituar këtë mëngjes nga kreu i PD Lulzim Basha ka bërë të ditur se do depozitojë kallëzim penal ndaj policisë për dhunë ndaj tij./ABC News Albania 24/7