Mjeku pediatër Bektashi Mandri, i ftuar paraditen e së mërkurës në Abc Live, ka dhënë një sërë këshillash për prindërit me fëmijë të vegjël ndërsa jemi thuajse zyrtarisht në stinën e verës.
Duke u ndalur tek fëmijët alergjikë, mjeku thotë se mira është që të shmanget lëvizja në oraret e drekës pasi ka më shumë polena në qarkullim. Një orar i mirë do të ishte mëngjesi herët apo pasditja, kur polenat rëndohen nga vesa dhe gjenden më pak në ajër.
“Grupmosha më e prekur edhe nga virozat, nga fenomenet alergjike janë moshat 0-5 ose 0-7 vjeç. Pema bronkiale maturohet në moshën 7-vjeçare dhe maturimi i saj sjell edhe uljen e fenomeneve alergjike në përgjithësi tek moshat pediatrike. Alergjitë janë të pashmangshme dhe 15-20 për qind e njerëzve në Evropë vuajnë nga fenomenet alergjike. Arsyeja që fëmijët preken më shumë është papjekuria e sistemit imunitar.”
Mjeku pediatër shpjegon se cila është klinika e alergjive: “Një klinikë alergjie mund të shfaqet te sytë me skuqje, lotim kruarje. Mund të kemi sekrecione të ujshme nga hundët, bllokim të hundëve. Kollë e thatë, ndonjëherë edhe kollë të shoqëruar me sekrecione. Në rastet më të rënda, është astma bronkiale ajo që na jep fenomene astmatike. Në këto raste duhet që pacienti të mjekohet me urgjencë.”
Mandri kishte një kritikë për prindërit që zgjedhin t’i trajtojnë fëmijët më mënyra tradicionale apo që marrin iniciativën të blejnë ilaçe pa recetë.
“Prindërit të ndërpresin në mënyrë kategorike vendime të tilla. Nuk më shqetësojnë se marrin produkte bimore. Ajo që më shqetëson është që janë jo të rralla rastet kur prindërit marrin edhe antibiotikë pa recetë.”
Kurse, i pyetur për linë e majmunëve, mjeku thotë se ajo ka qenë prezente gjithmonë, por thjesht tani në këtë periudhë është duke marrë një vëmendje të shtuar. Sipas tij, përhapja nuk është e madhe dhe nuk kemi pse të shqetësohemi.
Për sezonin e verës, këshilla e mjekut për prindërit ishte që të shmangin plazhet e ndotura dhe të kenë kujdes maksimal për higjienën e fëmijëve pasi, për shkak të moshës, ata janë të shkujdesur.
“Të kujdesen prindërit për higjienën e fëmijëve. Kjo është ajo që stonon te fëmijët, se çfarëdo që të gjejnë e fusin në gojë. Mirë është të mos u jepen celularët në dorë, janë gjëja më e pisët që kemi dhe mos u mundoni t’i mjekoni vetë.” /abcbews.al/