Polemikat pas ndeshjes Flamurtari – Partizani

schedule21:46 - 26 Janar, 2018

schedule 21:46 - 26 Janar, 2018

Polemika të ashpra pas ndeshjes së kampionatit në Vlorë. Trajneri i Flamurtarit, Duro, pretendoi për 3 penallti, ndërsa ai i Partizanit, Starova, akuzoi gjyqtarin për humbjen.

Kur vjen në fund fitorja shijon më shumë.
Padyshim kështu i ndodhi edhe trajnerit të Flamurtarit, Shpëtim Duro, që arriti një sukses të madh ndaj Partizanit.

Sukses për një sezon edhe më pozitiv në Superligë, por edhe ndaj ish-shokut dhe sot rivalit të tij, Starovës.
Duro nuk bën polemika në këtë pjesë.

Shpëtim Duro: “E kishim parashikuar si ndeshje e vështirë. Ndeshje që do përcaktohej nga episode dhe ashtu ndodhi. Sigurisht arritëm në këto momente shumë e rëndësishme eshte fitorja ndaj një kundërshtari direkt si Partizani. Po bëhet kampionati shumë i bukur. Sinqerisht them, por ne nuk kemi pretendime, sinqerisht të them, për titullin kampion sepse kemi përballë një Skëndërbe që është një skuadër e konsoliduar”.

Gjithsesi, polemikat nuk munguan kur u fol për gjyqtarin.

Shpëtim Duro: “Kemi marrë dy penallti në dy ndeshje miqësore në Turqi. Paskan qenë tre penallti për Flamurtarin. Kjo paska qenë e fundit. Të gjithë ata analistët e kanë gjykuar që kanë qenë të treja penallti, kështu që mua më vjen mirë sepse jam trajner vetë dhe humbje të tilla në momente të fundit nuk janë të mira akoma më shumë se nëqoftëse nuk janë të drejta”.

Shumë më i ashpër me arbitrin Enea Jorgji, ashtu siç pritej, trajneri i Partizanit, Sulejman Starova.

Sulejman Starova: “Zotëria i Elbasanit! Se çfarë ka pasur gjynahe me Vlorën, e nxorri me neve. Penallti 100 për qind për ne nuk e jep. Faull 100 për qind për ne te aksioni dhe për rrjedhojë të dy rastet e presionit që vjen nga publiku për prekjen me dorë janë kundër rregullores”./abcnews.al