Polemika të forta pas miqësores Kosovë-Shqipëri

schedule13:52 - 30 Maj, 2018

schedule 13:52 - 30 Maj, 2018

Polemika të ashpra në përfundim të miqësores mes Kosovës dhe Shqipërisë. Atmosferë e acaruar pas deklaratave të ndonjë lojtari të Kosovës apo ndonjë tifozi.

Vëllazërore ishte fjala që dëgjohej më shpejt përpara fillimit.

Për fat të keq nuk ishte 100 për qind e tillë miqësorja Kosovë-Shqipëri, të paktën për disa nga polemikat që e pasuan.

Reagimet në të nxehtë të disa prej protagonistëve, apo të ndonjë tifozi e prishën jo pak atmosferën, a thua se nuk mjaftonin debatet lidhur me fatin e talenteve me origjinë nga Kosova, që i synon edhe Shqipëria.

Herolind Shala, mesfushor i Kosovës që luajti disa kohë edhe për Shqipërinë, shfreu pa masë, ndërsa ende nuk i ishte tharë djersa në trup.

“Na nënçmuat? Në rregull, ne flasim vetëm në fushë, ne jemi Kosova dhe pritni gjëra të mëdha në të ardhmen … Të dua vendlindja ime”.

Disa orë më vonë, duke kuptuar gabimin, postoi një tjetër mesazh në rrjetet sociale, më pajtues, dhe më konkret, por që nuk largoi shijen e keqe.

“Fjala që na nënçmuat ka qenë vetëm për disa gazetarë e analistë, por dhe për trajnerin italian që na nënçmoi para ndeshjes, jo për tifozët apo për Federatën”.

Edon Zhegrova, ndërkaq u vu nën akuzë për veprimin e minutës së 74-t, kur rezultati ishte 3-0, duke xhongluar topin.

Aksioni i tij u vlerësua si ofendues për Shqipërinë, diçka që e kuptoi edhe vetë Zhegrova, autor i golit të tretë.

Shqiptari i Kosovës reagoi menjëherë, duke kërkuar falje nëse kishte ofenduar kënd me veprimin e tij.

Po ashtu, ai u tregua i përmbajtur në deklaratën pas ndeshjes për “Supersportin”.

Tepër negativ postimi i një tifozi të Kosovës, i cili shkruajti se “kurrë nuk i kam dashtë, e kurr s’kam me i dashtë këta “vllaznit tonë” se kta kurrë nuk na kanë dashtë, e kurr s’kanë me na dashtë”.

Reagimet nuk munguan, dhe pati nga ata që i kujtuan strehimin në Shqipëri në kohën e spastrimit etnik të Millosheviçit.

Një tifoz i quajtur Enver Idrizi, me stemën e UÇK-së, krijoi menjëherë ekuilibër: “Mos u përçani, futbolli është vetëm një lojë, një ditë do të jemi bashkë”.

Vetë Zhegrova e kuptoi momentin e keq dhe krijoi atmosferë të bukur me foton e postuar së fund, me tekstin “foto sa 1 000 fjalë”.

Aty ai po dilte në fotografi me tifozë me fanela kuqezi, dhe me flamurin shqiptar.

Më pozitiv një tjetër ish-lojtar i Shqipërisë, Milot Rashica.

Talenti që luan në Gjermani dhe që ka për menaxher ish-kapitenin e Shqipërisë Altin Lala, postoi foton me simbolet e të dy ekipeve, Kosovës dhe Shqipërisë.

“Çfarë ndeshjeje, çfarë lufte. Kosova-Shqipëria, jemi një”!

Rashica e Shala ishin dy prej lojtarëve që ish-trajneri Xhani De Biazi i la jashtë kombëtares që shkoi në Euro 2016, dhe fill pas atij momenti, ata u larguan nga Shqipëria./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!