Arrestimi dhe dëbimi i 6 shtetasve turq me leje qëndrimi në Kosovë, njëri prej tyre me pasaportë shqiptare, ka shkaktuar shumë polemika. Ata akuzohet se mbështesin imamin Fetullah Gylen, i cili konsiderohet kundërshtar i presidentit Rexhep Tajip Erdogan. Analistët mendojnë se ky zhvillim ka sfiduar dhe cënuar jo vetëm demokracinë në shtetin më të ri europian, por ka ngritur edhe dyshime për shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Në Kuvendin e Kosovës tashmë ka nisma që personat përgjegjës të thirren për raportim rreth këtij deportimi. Në rast se vërtetohen dyshimet për shkelje ligjore e kushtetuese, atëherë shkarkimet apo dorëheqjet e personave përgjegjës, do të vinin si pasojë e këtyre zhvillimeve.
Për pasoja të mundshme paralajmëroi edhe kryeministri Ramush Haradinaj.
Ndërkohë, Radio Evropa e Lirë shkruan se tre krerët më të lartë të shtetit, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit dolën me komunikata, duke konfirmuar se nuk ishin në njohuri për deportimin e shtetasve turq. I vetmi njoftim zyrtar vjen nga presidenti Erdogan, i cili njoftoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun Thaçi. Por presidenca e Kosovës nuk ka komentuar këtë zhvillim për mediat vendase.
Ka dyshime se 6 shtetasit në fjalë nuk janë ekstraduar në Turqi por po mbahen në një vend të fshehtë në Kosovë. Pavarësisht kësaj mediat turke raportojnë se ata janë dërguar në Drejtorinë Anti-terror në Stamboll. Ata janë identifikuar si: “Kahraman Demirez, Yusuf Karabina, Cihan Ozkan, Osman Karakaya, Hasan Huseyin Gunakan dhe Mustafa Erdem”, të gjithë mësues ose drejtues të shkollave private në Kosovë./abcnews.al