Konflikti mes Pol Pogbasë dhe Zhoze Murinjos është më i ashpër se kurrë. Francezi, kampion i botës ka vetëm një dëshirë, të largohet nga Mançester Junajtidi.
U mendua se shiriti i kapitenit dhe lavdërimi pas ndeshjes së parë të sezonit mund ta kandisnin të ndryshonte mendje.
Gjendja e Pol Pogbasë tek Mançester Junajtidi, ishte më e keqe sesa mendohej dhe kjo u kuptua në deklaratat pas takimit me Leisterin, kur francezi tha se “nuk mund të flas siç dua, sepse gjobitem”.
Gjithçka mori edhe më shumë për keq, kur mediat raportuan se çfarë fjalësh mesfushori i ka thënë trajnerit të tij, Zhoze Murinjos.
“Nëse dëshiron të flasësh me mua, më merr në telefon”, – besohet se është shprehur ai. Më keq se kaq nuk ka ku të shkojë, ndërsa superagjenti Mino Raiola po lëviz çdo “gur” që Pogba të shkojë tek Barcelona. “Kamp Nou” duket destinacioni i “parathënë nga fati” për kampionin e botës, pasi mediat lajmërojnë sërish se mendja e tij është pikërisht në Barcelonë.
Pavarësisht sesi shkon marrëdhënia e tij me Murinjon, nëse mbetet e keqe apo nëse përmirësohet, Pol Pogba dëshiron të detyrojë Junajtidin të pranojë kalimin e tij tek Barcelona deri në 31 gusht, pra synon të luajë në krah të Mesit këtë sezon. Duket e pabesueshme sesi një lojtar që mbërriti në “Old Traford” vetëm dy vjet më parë, si një rekord botëror, të mund të largohet kaq shpejt. Një disfatë për Mançester Junajtidin, por sidomos për Murinjon./abcnews.al