PSG fitoi 1-4 në fushën e Strasbourg ditën e djeshme dhe tani i gjithë fokusi është te Bayern Munchen. Kampionët e Francës do të përballen në shtëpi ndaj ekipit të Flick për një biletë në gjysmëfinalet e Champions League.
Djemtë e Mauricio Pochettinos fituan 2-3 takimin e parë në Gjermani dhe e dinë që do të duhet të vuajnë për të eliminuar gjermanët e frikshëm. Trajneri argjentinas fol për mediat pas fitores në kampionat, duke shpjeguar pse “rrezikoi” ta mbante Mbappe në fushë deri në minutën e 89-të.
“Ishte e rëndësishme të fitonim ndaj Strasbourg, pasi tre pikët na mbajnë në lojë për fitimin e titullit. Duhet të ishim të kthjellët për të finalizuar rastet, e bëmë shumë mirë. Është e vështirë të menaxhosh kaq shumë ndeshje të ngjeshura, por skuadra po tregon se është e aftë ta bëjë.
Mbappe? Për të qenë gati për sfidat e rëndësishme, Kylian ka nevojë të luajë. Ai është një profesionist. Ne kemi një staf teknik që kujdeset për të gjithë lojtarët. Vendosëm ta mbanim Mbappe në fushë deri në fund, pasi ishin kushtet e duhura për ta bërë këtë veprim.
Bayern Munchen? Jemi gati të përballemi sërish me ta. E dimë që do të vuajmë, por do të bëjmë maksimumin, do të japim gjithçka nga vetja për t’u kualifikuar në gjysmëfinalet e Champions League“, deklaroi trajneri i kampionëve të Francës. /abcnews.al