Një adoleshent sirian, i cili humbi në 1200 metra lartësi teksa po përpiqej të arrinte në Austri nëpërmjet Sllovenisë, është shpëtuar në gjendje të vështirë, ndërsa rrugët e reja të migrimit shfaqen përballë kontrolleve më të ashpra të BE-së.
“Një burrë 61-vjeçar ishte duke ecur” të dielën “kur dëgjoi thirrjet për ndihmë që vinin nga pylli”, thanë shërbimet e shpëtimit në një deklaratë këtë të martë. “Ai gjeti një të ri sirian të plagosur, i cili nuk ishte në gjendje të vazhdonte rrugën”.
14-vjeçari ishte “në një gjendje hipotermie të rëndë dhe mezi kishte vetëdije”.
Për shkak të terrenit pjesërisht të mbuluar me borë dhe me pyje të dendur, helikopteri mundi të ulej vetëm rreth një kilometër larg dhe shpëtimtarët e ulën të riun në një zonë të hapur përpara se të dërgohej në spital.
Kujtojmë që më shumë se një milion aplikime për azil në Bashkimin Evropian, kryesisht nga sirianë dhe afganë, u depozituan në vitin 2023, numri më i lartë në shtatë vjet, sipas Shërbimit Evropian të Azilit.
Gjermania është e para në aplikimet për azil, por, në kufirin e saj jugor, Austria ka forcuar kontrollet duke rezultuar në rënien e numrit të kërkesave për azil me 48% nga viti 2022 në 2023 në dallim nga pjesa tjetër e Evropës. Sllovenia, në të njëjtën periudhë, kishte pothuajse dyfishin e numrit./abcnews.al