Po shkonte për grabitje me kallash në krahë, policia kap të riun nga Laknasi

schedule10:06 - 14 Shkurt, 2020

schedule 10:06 - 14 Shkurt, 2020

Policia e Tiranës ka njoftuar se është vënë në pranga një 20 vjecar pasi po planifikonte të kryente grabitje me armë pranë një marketi në Laknas.

Policia ka rënë në gjurmët e 20 vjecari pas një informacioni se një person ishte duke lëvizur në Laknas me çantë shpine dhe biçikletë.

Pas lokalizimit të 20 vjeçarit nga policia, u ushtrua kontroll fizik. Gjatë kontrollit u gjet, një armë automatik Kallashnikow me krëhër me 17 fishekë, që 20 vjeçari kishte planifikuar ta përdorte gjatë grabitjes.

Policia ka bërë të mundur arrestimin e autorit, ndërkohë po punon për zbulimin edhe të autorëve të tjerë, që mund të jenë përfshirë.

Njoftimi i policisë:

“Policia parandalon vjedhjen me armë të një marketi.

Finalizohet operacioni policor “Laknasi”.

Kapet në flagrancë 20-vjecari, i cili po planifikonte të vidhte me armë në një market, në Laknas.

Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov.

Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, kapjen dhe arrestimin e personave që tentojnë të kryejnë vjedhje me dhunë e armë, në orët e mbrëmjes së datës 13.02.2020, Seksioni i Policisë Kriminale të Komisariatit të Policisë Nr. 5 Tiranë ka marrë informacion në rrugë operative se në Laknas, një shtetas 20-vjeçar qarkullonte në orët e pasdites, me biçikletë, duke mbajtur me vete një çantë shpine, brenda së cilës dyshohej se mund të kishte armë zjarri.

Bazuar në këto informacione është organizuar, zhvilluar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Laknasi”.

Shërbimet e Policisë, gjatë operacionit kanë bërë të mundur lokalizimin e vendndodhjes dhe identifikimin e shtetasit të dyshuar, i cili qarkullonte me një biçikletë dhe në çantën e shpinës kishte një armë zjarri kallashnikov. Në momentet që ky shtetas po përgatitej të hynte në një market në Laknas, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë duke e prangosur në flagrancë shtetasin K. K., 20 vjeç, banues në Laknas.

Gjate kontrollit fizik atij i është gjetur në çantën e shpinës, një automatik model 56, me një krehër me 17 fishekë.

Vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë, pasi dyshohet se ky shtetas mund të jetë autor edhe i disa tentativave të tjera për vjedhje me armë, të ndodhura më parë në Tiranë.

Materialet i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!