Sulmuesi i Wolves, Adama Traore, vazhdon të jetë në qëndër të merkatos. Spanjolli shkëlqeu këtë sezon në Premier League dhe tashmë e shikon veten në radarin e klubeve më të mëdha të Europës. 24-vjeçari numëron 37 ndeshje në të gjithë kompeticionet me fanellën e “Ujqërve”, ku ka shënuar gjashtë gola dhe ka asistuar nëntë të tjerë për shokët e skudrës.
Sipas raportimit të “ESPN”, e ardhmja e Traore do të vendoset nga pocizionimi i Wolves në fund të sezonit. Në rast se klubi anglez dështon të fitojë një vend në Champions League, atëherë ai do të largohet. Në rast të kundërt sulmuesi pritet të tregohet besnik dhe do të vazhdojë të qëndrojë në radhët e Wolves.
Manchester City dhe Juventus janë gati të futen në garë për shërbimet e tij, ndërsa Barcelona duket më e tërhequr tani se sa në muajt e kaluar. “Qytetarët” e Guardiolës janë paksa më të interesuar për të, pasi ai konsiderohet si zëvendësuesin i duhur për Leroy Sanen. Kartoni i sulmuesit vlerësohet diku te 50 milionë euro, ku kujtojmë se Traore ka dhe 3 vite të tjera kontratë me Wolvesin. /abcnews.al