“Po shesim si lopët në fushë”, AKU inekzistente në tregun ku shiten fruta dhe perime të mykura

schedule13:30 - 21 Maj, 2019

schedule 13:30 - 21 Maj, 2019

Në tregjet e Lushnjes ka shumë pika, ku tregtohen fruta dhe perime të mykura. Ndërsa mjekët thonë se prej tyre rrezikohen konsumatorë, AKU në këtë qytet është inekzistente.

Fruta dhe perime të mykura shiten në tregjet e pakicës në Lushnje. Këto pika tregtimi, janë jashtë vëmendjes së Autoritetit Kombëtar Ushqimor. Këtë fakt e pohojnë vetë tregtarët. Sipas tyre të paktën prej pesë vitesh, AKU nuk ka qenë asnjëherë e pranishme në stendat e tyre.

“Ku kanë ardhur ndonjëherë këtu ata moj… Ne nuk i njohim fare. Ne po shesim si ato lopët në fushë, pa kushte pa gjë”, tha një prej tyre.

“Nuk ka ardhur njeri fare”, tha një tregtare.

“Asnjëherë nuk kemi parë njeri këtu, fare. Shikoje si është malli, me hormone, ça të duash i ke të gjitha këtu”, tha një tregtar.

“Asnjëherë, s’mbaj mend unë të vijnë kontrolli këtu”, tha një tregtare.

Domatet, bizelet apo qepët po shiten në vlerat minimale, 10 lekë për kilogramë. Shkak nuk është cilësia e dobët, por fillimi i prishjes së produktit. Kjo tregtare, një ditë më parë është furnizuar me mollë të kalbura të ardhura nga Korça.

I ka nxjerrë në treg me idenë se njerëzit nuk kanë lekë të blejnë, ndaj edhe pse janë me myk, ato shiten. Më të rrezikuar janë konsumatorët, të cilët janë të detyruar të blejnë produktet e mykura dhe të kalbura që u ofron tregu.

“S’jam e sigurt. Si të gjithë të tjerët… marrim, blejmë”, tha një qytetarë.

“Duhet të ketë kontrolle nga shteti, jo nga mua”, tha një tjetër.

“Ishte speci, gjysmë jeshile, gjysmë i verdhë… pulla-pulla. Ça tregon kjo pulla nuk e dimë”, tha një qytetare tjetër.

Frutat dhe perimet e mykura kanë toksina. Më e pakta është helmimi ushqimor që shkaktohet nga konsumimi i tyre. Në këto kushte, asnjë kilogram i këtyre produkteve nuk duhet të dalë në treg, por mungesa e kontrolleve, nga institucionet ligjore, po vë në rrezik jetën e konsumatorëve./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!